Rasti i dhunimit të 11 vjeçares edhe njëherë vendosi në pah përplasjet dhe mospajtimet në mes të Ministrisë së Drejtësisë me Këshillin Prokurorial dhe atë Gjyqësor të Kosovës.
E deklarimet e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila kërkoi shkarkimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë ,e shkarkime të tjera që u kërkuan nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas raportimeve për rastin e dhunimit që vajzës së miturës nga njohësit e ligjit po shihen si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë në Kosovës.
Miftaraj thotë se reagimet e krerëve politik karshi punës së dy këshillave do të evidentohen edhe në raportin e progresit për këtë vit të cilat do i konsiderojnë si ndërhyrje në punën e sistemit prokurorial dhe gjyqësor.
“Është fakt se sistemi gjyqësore dhe ai prokurorial janë duke u ballafaquar me vite të tëra me mungesë të llogaridhënies, profesionalizmit, mungesë të integritetit dhe çka është më e rëndësishmja këto dy sisteme kanë ndërtuar kulturën e pandëshkueshmërisë për prokurorët dhe gjyqtarët të cilët edhe në rastet kur bien në kundërshtim me ligj dhe bëjnë neglizhencë në punën e tyre, dhe në rastet kur kufizojnë të drejtat dhe liritë e qytetarëve të Kosovës nuk marrin një përgjigje meritore. ...Ndarja e pushteteve është e rregulluar me Kushtetutë andaj nuk lejohet as ministrit, as kryeministrit, e as deputetëve e asnjë politikani që në distancë të gjykoj, poshtëroj sistemin gjyqësor dhe sistemin prokurorial. Thjesht kjo Kushtetutë e Kosovës nuk e lejon një gjë të tillë, andaj politika do të duhej të ishte e kujdesshme që në fjalorin e saj të mos dëmtoj edhe më tej sistemin gjyqësor dhe prokurorial. Jam i bindur që qoftë raporti i Progresit për këtë vit, qoftë raportet e tjera ndërkombëtare kredibile do t’i evidentojnë këto si ndërhyrje në pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokrurial dhe do të jetë edhe një sulm tjetër i cili është duke ulur dhe po e ulë edhe më tutje besimin e publikut në sistemin gjyqësor dhe prokurorial”, deklaroi Miftaraj.
“Absolutisht është shumë kërkesë legjitime nëse kjo kërkesë vije nga publiku, shoqëria civile, nga ana e vetë prokurorëve dhe gjyqtar]ve brenda sistemit prokurorial, por të njëjtat nuk mund dhe nuk duhet të vijnë nga ana e politikës sepse sikurse gjyqtarët dhe prokurorët e kanë të ndaluar të komentojnë për procese politike që kalon Republika e Kosovës, njëjtë politika e ka të ndaluar të komentoj procedurat gjyqësore që janë duke u zhvilluar”, theksoi Miftaraj.
Edhe drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes Fol, Mexhide Demolli deklarimet e fundit karshi KPK dhe KGJK-së, i konsideron si ndërhyrje në sistem të drejtësisë.
“Definitivisht nuk janë të mira nuk i shërbejnë asnjërës palë. Pavarësinë e gjyqësorit e kemi të garantuar edhe me Kushtetutë dhe si e tillë politika duhet t’i qëndroj larg sistemit gjyqësor. E kuptojmë shumë mirë që ka nevojë për ndryshime në sistemin e drejtësisë, por këto gjëra duhet të bëhen përmes hartimit të politikave dhe ligjeve e jo sulmeve direkte çfare jemi duke i parë kohëve të fundit…Janë ndërhyrje direkt në sistemin e gjyqësorit, dorëheqjet apo shkarkimet i kanë organet kompetente qoftë KGJK apo KPK në mënyrën se si emërohen prokurorët dhe gjyqtarët e caktuar dhe nuk emërohet apo shkarkohet dikush me kërkesa të politikanëve qoftë nga ministria e Drejtësisë apo kryeministri”, theksoi Demolli.
Ajo kërkoi që politika të qëndrojë larg me këto atakime që krerët politikë i kanë adresuar kah KPK dhe KGJK, por ta bëjnë reformën përmes hartimit të ligjeve.
Kujtojmë që mospajtime në mes të ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Kosovës janë shfaqur edhe sa i përket procesit të vettingut. Këshillat e kanë kundërshtuar këtë proces, dokumentet e të cilit tashmë janë dorëzuar në Kuvendin e Kosovës.
E karshi deklarimet të ministrisë së Drejtësisë për sistemin e drejtësisë pas rastit të dhunimit seksual të 11 vjeçares, kishte reaguar edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe ai Gjyqësor.