Shtetet e Bashkuara thanë se Rusia po kërkon të shfrytëzojë tensionet ndëretnike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me qëllim që të krijojë “jostabilitet dhe të pengojë integrimin e rajonit në institucionet euroatlantike”.
“Është e qartë se Rusia nuk mbështet të ardhmen e njëjtë evropiane për shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor që ata vetë kanë zgjedhur dhe që njerëzit në rajon e meritojnë”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.
“Lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës vë në pah urgjencën dhe rëndësinë e këtyre prioriteteve”, thanë nga DASH-i.
Në Kosovë udhëheqësit politikë së fundi kanë intensifikuar paralajmërimet e tyre se Serbia po përgatitet për një sulm apo provokim ndaj Kosovës. Por, sa herë që autoritetet kosovare flasin për një kërcënim të tillë, nuk lënë pa përmendur aleaten e Beogradit, Rusinë, që ato thonë se është e interesuar për destabilizimin e veriut të Kosovës dhe të rajonit.
Po ashtu, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Azi, James O’Brien, e cilësoi veriun e Kosovës – i banuar me shumicë serbe – dhe kërcënimet për shkëputjen e një pjese të Bosnje e Hercegovinës si rreziqet kryesore për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Në veri, tensionet janë rritur qysh vitin e kaluar, ndërkaq në Bosnje e Hercegovinë, autoritetet në entitetin e Republikës Sërpska kanë kërcënuar me shkëputje.
“Ne mbesim të shqetësuar lidhur me rrezikun që tensionet lokale të shndërrohen në tensione serioze politike që mund të stagnojnë shtetet e rajonit, si për shembull në veri të Kosovës dhe duke pasur parasysh kërcënimet për shkëputje në Bosnje e Hercegovinë. Ne po vazhdojmë të punojmë me të gjitha palët për të minimizuar këto rreziqe”, tha zëdhënësi i DASH-it.
Njohësit e zhvillimeve në Ballkan i kanë thënë REL-it se nuk mund të përjashtohet mundësia që në veri të Kosovës të ketë tensione, teksa vitin e kaluar në këtë pjesë të Kosovës tensionet kulmuan pasi një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter.
Por, Stradner tha se nuk beson se në Ballkanin Perëndimor do të ketë një konflikt në shkallë të gjerë, sikurse ai në Ukrainë. Megjithatë, ajo pohon se në Ballkan ka aktivitete që mund të konsiderohen “luftë hibride”.