DASH: Bisedimet për rregulloren e BQK-së të vazhdojnë me urgjencë
Lexohet për: 3 min.
DASH-1
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) thekson se bisedimet në Bruksel për Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, “duhet të vazhdojnë me urgjencë”.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha një zëdhënës i DASH-it për REL, lidhur me bisedimet që u zhvilluan të martën për çështjen e rregullores.

Ndërmjetësuesi i tyre, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se shumë pikëpyetje politike për çështjen e dinarit serb në Kosovë, mbetën pa përgjigje, andaj “duhen takime shtesë”.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, i cili udhëhoqi delegacionin e Kosovës, tha se nuk u diskutua për rregulloren, porse për mundësitë që i ofron ajo për transferimin e mjeteve nga shtetet e tjera në Kosovë.

Delegacionin e Serbisë e udhëhoqi kryenegociatori Petar Petkoviq, i cili tha se rregullorja e BQK-së kërkon zgjidhje në nivel politik.

Bisedimet pasuan fuqizimin e kësaj rregulloreje, e cila e përcakton euron si valutën e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë.

Por, rregullorja nxiti reagime të zemëruara të Beogradit zyrtar, i cili mbështet financiarisht komunitetin serb në Kosovë.

Bashkësia ndërkombëtare shprehu, po ashtu, shqetësime për ndikimin e saj në jetën e qytetarëve serbë dhe kërkoi pezullimin e saj.

Ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, tha se vendimi për dinarin i ka vënë në pikëpyetje marrëdhëniet Kosovë-SHBA.

“Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta në shprehjen e shqetësimeve për rregulloren e re”, tha zëdhënësi i DASH-it për REL-in.

Ai tha se përsërit thirrjet për Kosovën dhe Serbinë që t’i ulin tensionet dhe të angazhohen “seriozisht dhe urgjentisht”, në përpjekje “për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe produktive në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këmbëngul se vendimi i BQK-së nuk mund të anulohet. Sipas tij, Rregullorja nuk i ndalon pagesat nga buxheti i Serbisë, por se ato duhet të bëhen në euro.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se qëllim i Kurtit është “spastrimi etnik i popullit serb nga Kosova”./REL

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025