“Ne jemi të hapur për çdo shqiptar që dëshiron të kontribuojë për ekipin kombëtar. Ne nuk ua ndërpresim ëndrrën për të përfaqësuar kombin shqiptar asnjë lojtari nga cilido qytet shqiptarë qoftë ai.”
Kjo është përgjigjja e Federatës Shqiptare të Futbollit dhënë për KosovaPress, pas pretendimeve të menaxherit të Kombëtares së Kosovës, se marrëdhëniet mes dy federatave nuk janë më të mirat e mundshme, pas ikjes së dy futbollistëve të Kosovës, Arbnor Muja dhe Mirlind Daku, të cilët vendosën të luajnë për Shqipërinë.“Mendoj që Federata e Futbollit të Kosovës edhe më herët është dashur të ketë një koordinim me Federatën Shqiptare, ku të dy koordinohen mes vete që për çdo lëvizje të lojtarëve të koordinohen dhe mos të bëjnë ndoshta marrje të lojtarëve as Kosova te Shqipëria, e as Shqipëria te Kosova. Ta kenë një marrëveshje bashkëpunimi mes dy federatave, ku në momente të caktuara nëse Kosova jep dritën jeshile ta merr Shqipëria, ose nëse Shqipëria e jep, ta merr Kosova dhe asnjëherë të mos luhen këto lojëra sepse kjo është një lojë ku unë po të dua ty në parim, ndërsa në anë tjetër po ta marrë lojtarin, nuk është kjo dashuri...Mendoj që FFK duhet të bëjë takim me FSHF-në, duhet të komunikojnë në mes vete që të mos ta dëmtojnë njëra-tjetrën, sepse nuk kemi ne interesa që të shtyhemi dy kombëtaret në mes vete”, tha Batatina.
Për raportet midis dy federatave ka folur edhe gazetari, Arlind Sadiku. Ai ka thënë për KosovaPress, se FFK dhe FSHF vazhdojnë t’i kenë raportet e mira dhe duhet t’i ruajnë ato, derisa lojtarët vendosin sipas vullnetit të tyre se për cilën kombëtare do të luajnë.
Nga ana tjetër, gazetari i mediumit ‘Topnews’ në Shqipëri, Erjon Halili konsideron se po krijohet një problematikë e kotë dhe një zjarr që nuk duhet të ekzistojë mes dy federatave.
“Unë në mendimin tim personal, besoj që po krijohet një çështje e kot, po ndizet një zjarr që nuk duhet të ekzistojë, një zjarr përçarjeje mes dy skuadrave përfaqësuese, asaj të Shqipërisë dhe të Kosovës, për sa kohë që në syrin tim, por edhe të gjithë publikut është e qartë që ata dy lojtarë kanë ardhur me vullnetin e tyre të plotë tek përfaqësuesja e Shqipërisë...Të dy kanë konfirmuar se kanë vendosur të vinin dhe ta përfaqësojnë Shqipërinë, duke qenë se janë ndjerë të lënë pas dore te përfaqësuesja e Kosovës. Ndoshta ky reagim i tyre është reagim mllefi por edhe zhgënjimi...Marrëdhëniet vazhdimisht kanë qenë shumë të mira mes dy palëve, edhe mes dy presidentëve dhe nuk besoj dhe nuk duhet që kjo të shërbejë si një rast për përçarje apo distancimi.”, theksoi Halili.