Prishtina e përmbyll edicionin kalendarik 2022/23, me ndeshjen finale të Kupës së Kosovës së SC Gjilanit, sfidë e cila zhvillohet të hënën, nga ora 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kryeqytet.
Optimizmi në kampin “bardhekaltër” është maksimal për ta përmbyllur këtë edicion me trofe.
Nga 10 finale, Prishtina e ka fituar shtatë herë trofeun e çmuar të Kupës.
Kjo përballje do të jetë e veçantë edhe për trajnerin, Debatik Curri, i cili në vitin e parë si kryetrajner i Prishtinës, synon trofe.
“Kjo është ndeshje shumë e rëndësishme për Prishtinën, një finale e cila e përmbyll një vit shumë të mundimshëm dhe me shumë sakrifica. Trofetë kanë qenë prej fillimit objektivi jonë dhe normalisht se nesër do të synojmë që të kurorëzohemi me këtë trofe”, ka thënë fillimisht Curri.
Ai më pas ka thënë se Prishtina ka përparësi në këtë ndeshje sepse luajnë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Në fundi Curri u ka bërë thirrje tifozëve që të vijnë masovikisht në stadium për ta përkrahur ekipin në mënyrë që trofeu të mbetet Prishtinë.