Në Shqipëri nuk mungojnë plazhet e bukura dhe shpesh italianët zgjedhin t’i kalojnë pushimet këtu – edhe për të kursyer para. Vendi mesdhetar ofron akomodime me kosto të ulët. Lukova dhe Ksamili, dy pikat turistike në Rivierën Shqiptare, ndërthurin vlerat e bukurisë – të konsideruara si “Maldivet e Evropës”- me atë të komoditetit të jashtëzakonshëm, shkruan Elmar Burchia në të përditshmen italiane “Corriere Della Sera” botuar në rubrikën “Dove Viaggi”.
Të gjithë në Shqipëri. Edhe këtë verë? Vitin e kaluar, vendi i Gadishullit Ballkanik regjistroi shifra rekord në sektorin e turizmit: sipas zyrës vendase të statistikave, në Shqipëri kanë hyrë 9,5 milionë shtetas të huaj, një rritje prej 33,2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Ka shumë arsye pse njerëzit zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë vitet e fundit: kurioziteti për të vizituar një vend më pak të njohur; afërsia me Italinë dhe fakti që është një destinacion mjaft i lirë në krahasim me çmimet- shumë të larta në destinacionet e mbipopulluara me njerëz.
Shqipëria ofron plazhe të bukura dhe të pastra; pamje që të lëne pa frymë; peizazhe pothuajse të pacënuara; një det të mrekullueshëm; kuzhinë të shijshme; jetën e gjallë të natës dhe mikpritje vërtetë të ngrohtë.
Sipas ekspertëve të udhëtimeve, dy plazhet më të vlerësuara janë Lukova dhe Ksamili, dy vendpushime në Rivierën Shqiptare të konsideruara si “Maldivet e Evropës”.