Çmimi Dekorata për Humanizëm “Dr. Ali Sokoli” i jepet Prof. Dr. Sadri Bajraktarit
Lexohet për: 2 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Komuna e Rahovecit e ka nderuar Prof. Dr. Sadri Bajraktarin me Dekoratën për Humanizëm “Dr. Ali Sokoli”.

Kryetari i kësaj komune Smajl Latifi tha se kjo dekoratë përfaqëson jo vetëm misionin e një mjeku, por edhe atë të një intelektuali dhe humanisti, i cili gjithë jetën ia kushtoi përmirësimit të mirëqenies së popullit shqiptar, e shembulli i Prof. Dr. Sadri Bajraktarit sipas tij është frymëzues dhe motivues.

Postimi i plotë i kryetarit Smajl Latifi:

Sot, në një ceremoni solemne dhe në prani të familjarëve, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve, nderuam Prof. Dr. Sadri Bajraktarin me Dekoratën për Humanizëm “Dr. Ali Sokoli”, i cili është një mjek e humanist i shquar, që rrjedh nga një derë e madhe e Anadrinisë, derë që ka nxjerrë shumë burra e njerëz të vyeshëm të fjalës, të dijes e të pushkës.

Dr. Ali Sokoli, bashkëvendësi ynë, ka qenë shëmbëlltyrë për të gjithë, prandaj edhe ia vumë emrin dekoratës për humanizëm. Në këtë mënyrë kemi dashur ta respektojmë e vlerësojmë misionin fisnik e human të mjekut, duke e zgjedhur një ndër emrat më emblematik të shëndetësisë në Kosovë. Ai nuk kishte pranuar të shkilte mbi nderin dhe dinjitetin e tij, nuk kishte pranuar ta përdhoste betimin e shenjtë të Hipokratit dhe nuk kishte pranuar ta vinte vulën e tradhtisë në biografinë e tij. Prandaj, shërbimi i fshehtë jugosllav e kishte zgjedhur mjetin më efikas për eliminimin e tij, vdekjen e shpejtë, gjoja si pasojë e sulmit në zemër.

Kjo dekoratë përfaqëson jo vetëm misionin e një mjeku, por edhe atë të një intelektuali dhe humanisti, i cili gjithë jetën ia kushtoi përmirësimit të mirëqenies së popullit shqiptar, e shembulli i Prof. Dr. Sadri Bajraktarit është frymëzues dhe motivues.

Kontributi i madh i doktor Bajraktarit nuk mund të matet me vite, por me punën dhe përkushtimin që ai ka treguar ndaj njeriut dhe humanizmit.

Duke i institucionalizuar këta emra të shquar të historisë sonë, ne kontribuojmë për njerëzimin, sepse shembujt e vetëmohimit dhe sakrificës duhet të pasohen nga brezat që vijnë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024