Çmimet e prodhimeve bujqësore rriten për 17.72%
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar indeksin e çmimeve të prodhimeve dhe çmimet në bujqësi për tremujorin e parë, ku vlerësohet se indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 15.33%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.
ASK-ja thotë se ka bërë ndërrimin e vitit bazë të indeksit nga 2010=100 në 2015=100 sipas metodologjisë së Eurostatit.
“Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vendet të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen. Prodhimet, të cilat krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë. Në tremujorin e parë të vitit 2022, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 15.33%,
krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 25.62%”, thuhet në një komunikatë të ASK-së.
Ndërkaq, indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 17.72%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.