City e eliminon Liverpoolin nga Carabao Cup
Kampioni anglez, Manchester City e ka eliminuar kampionin aktual të Carabao Cup, Liverpoolin.
Në ndeshjen që ishte e vlefshme për fazën eliminatore të Carabao Cup, Manchester City e ka mposhtur Liverpoolin me rezultat të ngushtë 3:2, raporton KosovaPress.
Fillimisht, superderbin anglez e ndezi bomberi norvegjez, Erling Haaland, i cili në minutën e 10’ kalon Cityn në epërsi prej 1:0.
Liverpooli arriti ta barazojë rezultatin përmes Fabio Carvalhos, i cili shënoi në minutën e 20’ për 1:1.
Pjesa e dytë filloi me ritëm të njëjtë të lojës, ku City kaloi përsëri në epërsi ndaj Liverpoolit përmes Riyad Mahrez, i cili shënoi në minutën e 47’ për 2:1.
Por, Liverpooli u kundërpërgjigj brenda një minute, ku Mohamed Salah shënoi në minutën e 48’ për ta barazuar rezultatin në 2:2.
Golin e fundit të ndeshjes e shënoi Nathan Ake, i cili e vulosi fitoren e Cityt me rezultat 3:2 në minutën e 58’.
Me këtë fitore, City vazhdon tani në çerekfinale të Carabao Cup.