Chollet i kërkon Vuçiqit të ndërmarrë hapa për të ndihmuar në zbutjen e krizës në veri
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet i ka kërkuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq që të ndërmarrë hapa për të ndihmuar në zbutjen e krizës në veri të Kosovës.
Po ashtu, Chollet i ka kërkuar Vuçiqit që të kthehet në rrugën e angazhimit konstruktiv në dialog.
“ E inkurajova presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dje për të kërkuar qetësi mes serbëve të Kosovës, për të ndërmarrë hapa për të ndihmuar në zbutjen e krizës në veri të Kosovës dhe të kthehet në rrugën e normalizimit dhe angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.”, ka shkruar të shtunën Chollet në Twitter.
Ndryshe, protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit, kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Të hënën (29 maj) protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar e djegur vetura të mediave.
Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.
Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa kanë anuluar edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria ka refuzuar t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat policore nga ndërtesat komunale./KosovaPress