Çelet panairi librit “Prishtina 2023", i pranishëm edhe Ismail Kadare
Kulturë
Lexohet për: 3 min.
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Me moton “Libri triumfon”, të martën është hapur panairi i librit në Prishtinë.

Në hapjen e këtij edicioni të panairit “Prishtina 2023”, krahas figurave politike vendore, i pranishëm ishte edhe shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, i cili u vlerësua si forcë gjigante e ngritjes së gjuhës e kulturës shqiptare, por edhe zë për liri.

Para të pranishmëve, shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare teksa shprehu gëzimin për praninë e tij në këtë panair, ai shpreson se letërsia shqiptare do të rikthehet më mirë e më fortë.

“Jam shumë i gëzuar që ndodhem midis jush në këtë ditë kaq të bukur dhe kaq frymëzuese në ditën e librit”, u shpreh shkrimtari i madh shqiptar, Kadare.

Fjalë të mëdha të shkrimtarin Kadare, thuri edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti cili Kadarenë e quajti shkrimtari më i madh i gjallë në botë.

Derisa, shprehu përkushtimin e qeverisë së Kosovës për botën e librit, Kurti u shpreh se populli i Kosovës i ka borxh Ismail Kadaresë sa nuk thuhet pasi që siç u shpreh kreu i ekzekutivit kosovar vetëdija për trungun shqiptar është formuar nga botimet e Kadaresë.

Panairi është si një festival i librit, lexuesi mund të vijë çdo ditë, madje mund të vijë jo vetëm si lexues, por edhe si shkrues dhe si bibliofil, sepse libri ka edhe bukurinë e vetë si punim artizanal", theksoi Kurti.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca teksa ka falënderuar Ismajl Kadarenë që letërsinë shqipe e bëri të përbotshme, tha se shkrimtari Kadare është ngritur në simbolin më të lartë e kuptim-plotë për popullin tonë.

Konjufca u shpreh se Ismail Kadare letërsisë shqipe ia siguroj një vend të pavdekshëm me atë që ai vetë i quan letërsia universale e botës.

Në ceremoninë hapëse të Panarit të Librit “Prishtina 2023”, kryetari i Kuvendit, Konjufca tha se libri është një institucion i cili nuk mund të mos ekzistojë.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama u shpreh me këtë rast se kryeqyteti është shndërruar në vatër që shpalos magjinë e fjalës në letër.

Rama tha se është e qartë se inkurajimi i të rinjve për të lexuar libra duhet të përshtatet me epokën digjitale, por gjithmonë duke e ruajtur thelbin e të shkruarit.

Ndërsa, shkrimtarja, Drita Ruhani shpreson se pananiri i librit të jetë motivues për rritjen e lexuesve.

Në edicionin e 23-të të panairit, është paralajmëruar të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.

Shoqata e Botuesve të Kosovës ka bërë të ditur se janë rreth 2 mijë tituj të rinj në panairin “Prishtina 2023”.

Në kuadër të panairit do të shënohen edhe disa përvjetorë si: 120-vjetori i lindjes së Ernest Koliqit, 110-vjetori i lindjes së Petro Markos, dhe 100-vjetori i lindjes së Jakov Xoxës.

Panairi i librit “Prishtina 2023”do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë prej orës 9:00 deri 20:00, ndërkaq, do të mbyllet më 11 qershor, në orën 18:00. /B.Ibishi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024