Çeku tregon kur do të nisë ndërtimi i Stadiumit Nacional
Vendor
Lexohet për: 2 min.
1 javë më parë
Linku u kopjua

Ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku ka thënë se ndërtimi i Stadiumit Nacional të Kosovës do të nisë vitin e ardhshëm dhe se për këtë tashmë po negociohet marrja e një kredie ndërkombëtare që do të përdoret për ndërtimin e tij.

“Stadiumi nacional, aktualisht bashkë me Ministrinë e Financave po bëjmë negocimin e kredisë ndërkombëtare, në momentin që do ta kemi marrëveshjen për kredi ndërkombëtare, e njëjta procedohet në Kuvend për ratifikim dhe presim që në pjesën e dytë të vitit të ardhshëm të nisin punimet edhe në ndërtimin e Stadiumit Nacional të Kosovës”, tha Çeku .

I pari i MKRS-së ka folur edhe për bashkëpunimin e Shqipërisë me Serbinë për organizimin e Kampionatit Evropian të grupmoshave U21 në vitin 2017. Ai theksoi se nuk ka pasur fare komunikim me Shqipërinë për mundësinë që ky kampionat të organizohet në një bashkëpunim Shqipëri-Kosovë.

“Faktet duhen thënë, ne si ministri nuk jemi kontaktuar asnjëherë në raport me mundësinë e bashkë-organizimit të këtij kampionati. Pra ne kemi kuptuar që një gjë e tillë po ndodh në momentin kur është publikuar aplikimi i përbashkët  Shqipërisë me Serbinë për ta organizuar këtë kampionat. Fatkeqësisht pas kritikave që kanë marrë, nga Federata e Shqipërisë është thënë që Kosova nuk është gati me infrastrukturë, kjo nuk qëndron... Shumë shpejt vendin tonë e bëjmë lider në rajon për infrastrukturën e futbollit, deri në vitin 2027 ne do t’i kishim të përfunduara mjaftueshëm stadiume që këtë kampionat ta bashkë-organizojmë më Shqipërinë”, theksoi Çeku.

Çeku foli edhe për stadiumin e qytetit në Gjilan për të cilin tha se është në procedurë të vlerësimit për shpalljen e operatorit për ndërtimin e këtij stadiumi në vlerë prej 15 milionë euro.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024