Si pasojë e reshjeve, janë dëmtuar dy ura, njëra në Smallushë dhe tjetra në Gadime të Epërme të Lipjanit, po ashtu dëmtime në infrastrukturën publike dhe ekonomitë familjare.
Banorët e fshatit Gadime e Epërme shprehin shqetësimin e tyre për shembjen e urës, pasi që sipas tyre qarkullimi është bllokuar nga reshjet e shumta, dhe ata janë të detyruar të përdorin rrugë alternative që janë më të gjata dhe më të rrezikshme.
“Ishte shumë e rëndësishme, e ka bllokuar të gjithë anën shkaku i reshjeve të shumta… Kjo rrugë dërgon edhe në fshatin Vrellë dhe Plitkoviq, domethënë dy fshatra i ka bllokuar. Ka edhe rrugë alternative, por këtë e kemi shfrytëzuar më së shumti… E kemi lajmëruar rastin më herët, por nuk ka qenë e pa, a ka mundësi me rregulluar apo diçka… Ka filluar me u prish edhe më herët, por nuk ka marrë askush masë me rregulluar diçka… Kanë filluar me rregulluar shtratin e lumit, por e kanë lënë në gjysmë, e kanë dalë puna”, theksoi Isufi.
Për shembjen e urës, edhe Rrezart Rexhepi tregon për KosovaPress tani kanë vështorësi për qarkullim.
Komuna e Lipjanit njofton qytetarët se, si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut, gjendja me vërshime është rënduar në territorin e komunës.
“Si pasojë e reshjeve, janë dëmtuar dy ura, njëra në Smallushë dhe tjetra në Gadime të Epërme, po ashtu dëmtime në infrastrukturën publike dhe ekonomitë familjare”, thuhet në njoftimin e kësaj komune.
Komuna e Lipjanit ka themeluar Shtabin Emergjent, i cili është aktiv dhe në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet relevante.