Vendet anëtare të Bashkimit Evropian ua kanë hapur rrugën Bullgarisë dhe Rumanisë për t’u bërë anëtare të plota të zonës për lëvizje të lirë Schengen, prej fillimit të vitit tjetër.
“Është moment historik që më në fund të mirëpresim Bullgarinë dhe Rumaninë”, ka thënë ministri i Brendshëm i Hungarisë, Sandor Pinter, shteti i të cilit është aktualisht në krye të Presidencës së bllokut evropian.
Austria pati refuzuar pranimin e plotë të këtyre vendeve në Schengen, duke përmendur shqetësimet rreth migrimit.
Megjithatë, Vjena ka thënë të hënën se nuk do të përdorë veton në takimin e ministrave të zhvilluar mëngjesin e së enjtes, dhe kështu dy vendet do të jenë anëtare të plota prej 1 janarit të vitit 2025.Austria ka hequr dorë nga vetoja, vetëm pasi tri shtetet e kanë nënshkruar “pakon për mbrojtje kufitare”.
Marrëveshja parasheh angazhim të përbashkët të rojeve kufitare në kufirin bullgaro-turk, dhe kontrolle të përkohshme kufitare në rrugët tokësore për periudhë gjashtëmujore.
Më shumë se 400 milionë njerëz mund të udhëtojnë lirshëm brenda saj./REL/