Breshër i madh në Han të Elezit, kryetari Ballazhi shprehet i shqetësuar për dëmet
Reshjet e shiut dhe breshëri kanë shkaktuar dëme dhe gjendje të rëndë në komunën e Hanit të Elezit. Për këtë situatë, ka reaguar kryetari i kësaj komune, Mehmet Ballazhi, i cili tregon për pasojat nga breshëri i madh, si në bujqësi, vetura dhe në ekonomitë familjare.
Ai shprehet i shqetësuar pas reshjeve të shiut dhe të breshërit të madh në Han të Elezit.
“Jemi mjaft të shqetësuar pas reshjeve të shiut dhe të breshërit në komunën tonë pasditen e sotme. Komuna e Hanit të Elezit me të gjitha kapacitetet që ka është në terren, zjarrëfikësit dhe policia janë në gatishmëri për çdo rast, gjithashtu në terren do të jenë kompanitë e kontraktuara për pastrimin e hapësirave publike”, ka shkruar Ballazhi në Facebook.
Ai ka shtuar se Komuna ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi ku do të diskutohen të gjitha veprimet e nevojshme që duhen ndërmarrë.
“Uroj që të mos keni pasur dëme në shëndet dhe më lejoni të ju shpreh keqardhje për të gjithë ju që keni pësuar dëme në pasuritë tuaja nga kjo fatkeqësi”, shkruan ai.
Reshje të shiut me breshër po bie edhe në këto momente në Prishtinë dhe në disa vende të Kosovës.