Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë të enjten se sipas vlerësimeve të BQK-së, rritja ekonomike në vitin 2022 pritet të shënojë rritje të ngadalësuar prej 3 deri 4 për qind, kryesisht për shkak të tkurrjes së kërkesës së brendshme dhe rritjes së importit, ndërsa eksportet kanë ndikuar pozitivisht.
Në konferencën e fundvitit, guvernatori Mehmeti tha se gjatë vitit 2022, ndryshimi i dinamikave globale si pasojë e agresionit në Ukrainë, që u shoqëruan me rritje të inflacionit, ndryshim të politikave monetare dhe rritje të normave të interesit dhe ngadalësim të rritjes së tregtisë botërore si rezultat i ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit, u reflektua edhe në aktivitetin ekonomik në Kosovë.
Guvernatori Mehmeti se viti 2022 ka shënuar një ritëm më të shpejtë të rritjes edhe për remitancat e dërguara nga diaspora në Kosovë. Sipas Mehmetit, vlera e remitancave të pranuara deri në fund të muajt tetor 2022, është 1 miliard euro, që paraqet rritje vjetore 5.5 për qind.
“Shpenzimet e jo-rezidentëve që kanë arrit vlerën 1.48 miliard euro apo me një rritje vjetore prej 26.1 për qind. Kur flasim për shpenzimet e jo-rezidentëve, këto gjithmonë mund t’i quajmë si shpenzimet të diasporës. Po ashtu në vitin 2022 edhe remitancat kanë arrit në 1 miliard euro apo me një rritje vjetore prej 5.5 për qind”, theksoi ai.
Në anën tjetër, sipas Mehmetit, eksporti i shërbimeve deri në shtator 2022, shënoi vlerën prej 2.05 miliardë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 32.8 për qind, që ka ndodhur kryesisht si rezultat i rritjes së vizitave të bashkatdhetarëve tanë dhe turistëve në vend.
“Me rritje u karakterizua edhe importi i shërbimeve që deri më shtator 2022 regjistroi vlerën prej 901 milionë euro. Pra gjithsej importet e mallrave dhe shërbimeve deri në muajin shtator të këtij viti janë në shumë prej 5.05 miliardë euro, ndërsa eksportet e mallrave dhe shërbimeve janë në shumë rreth 2.7 miliardë euro që është eksporti në total”, tha Mehmeti.