BQK dhe Banka Botërore thellojnë bashkëpunimin për sektorin financiar
Biznes
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
BQK dhe Banka Botërore thellojnë bashkëpunimin për sektorin financiar
cbk-bassani
17/04/2026 - 09:37
Linku u kopjua

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili ka zhvilluar takim me zëvendëspresidenten e Banka Botërore, Antonella Bassani, në kuadër të Takimeve Pranverore 2026 në Washington DC.

Sipas një njoftimi, në këtë takim u diskutuan zhvillimet në sektorin financiar të Kosovës, me theks të veçantë në modernizimin e sistemit të pagesave dhe integrimin rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Guvernatori Ismaili theksoi përkushtimin e BQK-së për avancimin e infrastrukturës së pagesave dhe përshpejtimin e integrimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), duke e cilësuar këtë proces si prioritet strategjik për zhvillimin ekonomik të vendit.

Gjatë takimit u trajtuan edhe zhvillimet lidhur me sistemin e pagesave të shpejta përmes zgjidhjes TIPS Clone të Bankës së Italisë, si dhe hapat për zgjerimin e shërbimeve shtesë. Po ashtu, u theksua rëndësia e zbatimit të financimit të projektit të sapo ratifikuar të sektorit financiar dhe avancimi i kuadrit rregullativ për sigurimin e depozitave, me synim rritjen e mbulueshmërisë dhe forcimin e stabilitetit financiar.

Nga ana e saj, Bassani rikonfirmoi gatishmërinë e Bankës Botërore për të mbështetur BQK-në dhe reformat e ndërmarra, duke vlerësuar arritjet e deritanishme.

Në fund, palët diskutuan edhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet BQK-së dhe Grupit të Bankës Botërore, me fokus në zhvillimin e sektorit financiar dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026