Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, do ta vizitojë Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Bosnje e Hercegovinën nga 13 deri më 16 mars, bëri të ditur Brukseli.
“Vizita do të riafirmojë përkushtimin dhe mbështetjen e BE-së për rajonin, për shkak të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës dhe për ndikimin e kësaj lufte në sigurinë e Evropës si tërësi”, u tha në njoftimin e BE-së lidhur me turneun e tij në Ballkanin Perëndimor.
Borrell po ashtu pritet të marrë pjesë në një ngjarje të organizuar nga shoqëria civile dhe organizatat e të rinjve, në kuadër të një Konference për të Ardhmen e Evropës.
Më 15 mars, Borrell do të qëndrojë në Tiranë, ku do të takohet me kryeministrin Edi Rama, dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, shefi i diplomacisë së BE-së do të vizitojë punimet në restaurimin e një mozaiku të Muzeut Kombëtar të Historisë, që është financuar nga BE-ja pas tërmetit në Shqipëri.
Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, kanë vendosur sanksionet që BE-ja ka prezantuar ndaj Rusisë. Serbia, që është shtet kandidat për anëtarësim në bllokun evropian, nuk ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse.