Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu ka deklaruar se nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti morën zotimin se do të nisë një procedurë për zgjidhjen e çështjes së të hyrave vetanake. Ai tha se Qeveria e Kosovës duhet të ketë vullnet për adresimin e këtij problemi, derisa komentoi edhe deklarimet e Kurtit, i cili u shpreh se “kryetarët e komunave po e luajnë rolin e opozitës”.
Për këtë deklarim të Kurtit, kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu tha se kryetarët e komunave nuk janë opozitë, pasi opozita e qeverisë Kurti është në parlamentin e Kosovës.
Sipas tij, qeveria duhet të ketë vullnet të zhbllokojë këtë proces.
Sa i takon paralajmërimeve të disa kryetarëve se çështjen e të hyrave vetanake do e dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, kryetari i Ferizajt u shpreh se nuk beson se do të vije puna deri aty.