Bislimi tregon rastet kur Lajçak nuk ka qenë neutral në dialog
Lexohet për: 3 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat për heqjen e masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian.

Bislimi në Komisionin parlamentar për integrime evropiane, tha se ka paqartësi brenda vetë BE-së se cili është mekanizmi për largimin e masave, por sipas tij ka edhe presion nga vendet anëtare se pse i janë vendosur masa Kosovës, ndërkaq, Serbisë nuk i janë vendosur masa, përkundër agresionit terrorist në Banjskë.

Bislimi gjatë raportimit para deputetëve të premten, renditi disa prej shqetësimeve të tij kur ndërmjetësuesi i dialogut Miroslav Lajçak nuk ka qenë neutral në këtë proces.

Ai theksoi nevojën që Bashkimi Evropian të ketë një qasje të barabartë në dialog, derisa shtoi se i kanë dërguar një raport prej 48 faqesh Bashkimit Evropian për agresionin terrorist serb në Banjskë, mirëpo nënvizoi nevojën që tash prokuroria të del me raport dhe të lëshojë fletarrest për Milan Radojçiq.

Kryetarja e Komisionit për integrime, njëherësh deputete e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ngriti shqetësimin e saj për vazhdimin e masave ndëshkuese dhe mos largimin e tyre, përkundër disa hapave të ndërmarra për zgjedhjet e reja në katër komunat veriore.

I pyetur nga deputetët, Bislimi foli edhe për rolin e përfaqësuesit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.  Ai përmendi disa raste, që sipas tij kanë treguar mungesën e neutralitetit të diplomatit sllovak në procesin e dialogut.

Ai shtoi se është e domosdoshme që procesi integrues i Kosovës në Bashkimin Evropian të ndahet nga dialogu.

Ndërsa, deputetja e AAK-së Time Kadrijaj u shpreh e habitur, siç tha ajo edhe katër muaj pas sulmit terrorist në Banjskë, qeveria nuk ka hartuar një raport për atë që ka ndodhur.

Bislimi sqaroi me këtë rast se ekzekutivi ka bërë një raport 48 faqesh për Banjskën, të cilën ia ka dërguar Bashkimit Evropian, por nevojitet që Prokuroria të bëjë publik në tërësi raportin dhe të lëshojë fletarrest për Radojçiq dhe kriminelët e  tjerë që kanë marrë pjesë në agresionin terrorist ndaj Kosovës.

Më pas reagoi sërish deputetja Kadrijaj, e cila akuzoi Bislimin se kanë pasur koordinim me Radojçiq, përmes shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Por, zëvendëskryeministri Bislimi, duke ironizuar tha se si rezultat i këtij koordinimi tash Radojçiq është në Serbi, ndërsa qëndronte në Zyrën e Kryeministrit në kohën e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Në këtë polemikë u përfshi edhe deputeti i LVV-së, Agon Batusha, i cili tha se gjatë qeverisjes së Haradinajt, Milan Radojçiq sillej në Gjakovë me armë në brez.

Ndërkaq, komisioni nuk pati kuorum në vendimmarrje për miratimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare që ishin në rend të ditës, pasi në momentin e votimit, deputetja e AAK-së Time Kadrijaj, e lëshoi sallën./KosovaPress/

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024