Faton Bislimi thotë se kandidatura e tij për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës është një ofertë për rikthimin e LDK-së te vlerat themeltare dhe idealet kombëtare të ish-presidentit, Ibrahim Rugova. Ai kritikon liderin aktual të partisë, Lumir Abdixhiku se ka devijuar nga idealet e Rugovës dhe vlerat djathtiste të partisë. Bislimi konsideron se Abdixhiku e ka bërë LDK-në kopje të Lëvizjes Vetëvendosje, parti e cila udhëheq me qeverinë.
Ish-deputeti i LDK-së, thotë për KosovaPress, se LDK-në e ka kapluar një vobekësi dhe heshtje ndaj zhvillimeve kryesore në vend. Bislimi kërkon që Kuvendin e dhjetë zgjedhor, që do të mbahet nesër, më 19 nëntor, t’i aprovohet kandidatura dhe përmes votës së fshehtë 355 delegatët e LDK-së, të vendosin për të parin e partisë.Krahas kësaj, ai thotë se ndarjen me lidershipin aktual të LDK-së, e ka bërë në maj të këtij viti, pasi sipas tij, partinë me udhëheqjen e Abdixhikut e ka kapluar një anemi politike dhe vobekësi ndaj zhvillimeve kryesore në vend.
Bislimi i cili është edhe anëtar bordi i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, flet edhe për dialogun Kosovë-Serbi.
Lidhja Demokratike e Kosovës, më 19 nëntor, do të mbajë Kuvendin e dhjetë zgjedhore, ku 355 delegatë do të zgjedhin kryetarin e ri të partisë. Krahas Bislimit, kandidaturën e ka shpallur edhe kryetari aktual, Lumir Abdixhiku.
Krahas kësaj, do të mbahet edhe një Konventë ku do të shpaloset programi i ri i LDK-së, i quajtur “Rruga e Re”.