Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se moslejimi i vizitës së tij në Beograd, për një forum ndërkombëtar për sigurinë është sinjal se Serbia nuk është e gatshme për normalizim të marrëdhënieve, ndërmjet dy shteteve.
Me të arritur në Kosovë, në pikën kufitare në Merdare, Bislimi tha se pala serbe ka shpikur arsye, kinse për shkaqe të sigurisë për mos lejuar pjesëmarrjen e tij në këtë forum për të paraqitur të vërtetën e Kosovës në dialog.
Para gazetarëve, ai tha se lidhur me këtë zhvillim është njoftuar edhe kori diplomatik.
"Arsyeja është diku tjetër pasi ne kemi pasur qëllim Beogradit, por edhe korit diplomatik dhe qytetarëve atje t'iu ofrojmë versionin e Kosovës për zhvillimet që janë në Kosovë për normalizimin. Ju e dini që qytetarët serbë janë ekspozuar karshi një propagande nga Qeveria në Serbi dhe një të vërtete të shpikur për dialogun. Si duket, ka pasur një rezistencë të madhe që mos të mundësohet versioni i anës tjetër", tha ai.
"E njëjta polici që na ka shoqëruar deri afër Beogradit nuk ka pasur informata për cenim të sigurisë, por me pastaj një veturë tjetër ka kërkuar që të kthehemi", tha ai.
Megjithatë, Bislimi tha se përmes Zoom-it nesër të marrë pjesë në këtë forum ndërkombëtar për sigurinë.