Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Joe Biden dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e kanë nënshkruar më 13 qershor një marrëveshje sigurie 10-vjeçare, të cilën ata e përshëndetën si një moment historik në marrëdhëniet midis vendeve të tyre.
Zelensky tha gjithashtu se vendit të tij "urgjentisht" i duhen sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur ukrainasit dhe infrastrukturën e vendit nga bombardimet e vazhdueshme të Rusisë.
Zelensky tha në një konferencë të përbashkët shtypi se nënshkrimi ishte një "ditë vërtet historike", por ai gjithashtu pyeti për qëndrueshmërinë e mbështetjes nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë.
Secila palë mund ta ndërpresë marrëveshjen me shkrim me një paralajmërim prej gjashtë muajsh, që do të thotë se një president i ardhshëm i SHBA-së, mund të anulojë marrëveshjen.
Zelensky gjithashtu theksoi se marrëveshja përfshin avionë luftarakë F-16 dhe armë të tjera që Ukraina i ka kërkuar për një kohë të gjatë.
Biden tha se marrëveshja do t'u lejojë të dy vendeve të zgjerojnë shkëmbimin e inteligjencës dhe të vazhdojnë trajnimin e trupave ukrainase.
Biden u shpreh i bindur se marrëveshja do ta bëjë Ukrainën "të fortë dhe të qëndrueshme".
Ai shtoi se Departamenti i Thesarit e ka bërë të qartë se çdo bankë në botë që bën biznes me bankat ruse të sanksionuara, do të sanksionohet vetë.
Gjithashtu më 13 qershor, liderët e shtatë vendeve më të industrializuara në botë (G7) u pajtuan t’ia japin Ukrainës 50 miliardë dollarë hua duke i përdorur asetet e ngrira ruse.
Diplomatët konfirmuan se pajtueshmëria për këtë marrëveshje u arrit madje para se liderët të mbërrinin në Itali për samitin treditor të G7-ës./REL/