Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi më 18 shkurt kufizimin e marzhës së fitimit për më shumë se 100 grupe produktesh, që përfshijnë mbi 1.000 artikuj ushqimorë dhe joushqimorë me synimin për t’i ulur çmimet dhe për t’i "mbrojtur qytetarët".
Akademiku dhe eksperti i ekonomisë, Abdylmenaf Bexheti, thotë për Radion Evropa e Lirë se masat e ndërmarra nga Qeveria mund të kenë efekt të kundërt dhe të rrezikshëm, siç shprehet ai, për tregun, veçanërisht për sektorët që varen nga luhatjet e çmimeve dhe konkurrenca e lirë.
“Pesë për qind nuk është marzhë, por Qeveria e ka vendosur këtë kufizim, sidomos për produktet bazike, duke iu referuar komponentit të inflacionit të lirë. Inflacioni i lirë zakonisht godet çmimet bazike dhe, duke iu referuar statistikave, rezulton se produktet bazë në zinxhirin tregtar, kanë marzha fitimi shumë më të larta sesa produktet luksoze ose mbi mesataren”, sqaron Bexheti në intervistën për REL-in.