Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), zyra në Kosovë paralajmëron se nga ky muaj (janar 2023), do të ngriten normat e interesit për kredi edhe nga kjo bankë.
Përkundër këtij shtrenjtimi, BERZH synon që për vitin e ardhshëm të investojë në Kosovë 100 milionë euro përmes instrumenteve financiare.
Menaxherja e programit për këshillim të bizneseve nga BERZH, zyra në Kosovë, Leonora Kusari, duke mos treguar se sa për qind do të ngriten tarifat për normat e interesit, ka thënë në një intervistë për KosovaPress, se shtrenjtimi i kredive do të ndodhë patjetër në muajt e parë të vitit 2023.
Ky shtrenjtim i kredive bankare nga BERZH, pritet të ndodhë si rrjedhojë e rritjes së normës së Euribor-it në tregun evropian.
“Për shumicën e projekteve të cilat i kemi pasur të kontraktuara më herë nuk ka pasur ngitje të normave të interesit bankar më 2022, por nuk do të thotë që në vitin 2023, në bazë të situatës ashtu siç e shohim mund të ketë edhe ngritje. Pra, pritet të ketë rritje të normave të interesit për shkak të rritjes së normës në Euribor në tregun evropian gjatë gjashtë mujorit të fundit. Nuk e dimë se sa do të jetë ajo ngritje. Atë analizë e bëjnë ekonomistët në bankën tonë (BERZH), por të shohim në janar. Mirëpo, ngritje do të ketë patjetër, gjithsesi”, thotë Kusari.
Menaxherja Kusari ka thënë po ashtu se BERZH ka miratuar strategjinë për periudhën 2023-2027, ku fokusi kryesor është fuqizimi i sektorit privat përmes krijimit të instrumenteve financiare të reja për dixhitalizim, energji të ripërtritshme, si dhe për integrim regjional.
Kusari ka thënë se edhe për vitin 2023 pritet të ndahen 100 milionë euro përmes tri instrumenteve financiare.
“Të gjitha instrumentet janë regjionale për krejt Ballkanin, mirëpo edhe për atë nuk kemi kuota të caktuara, kjo varet prej vendeve të cilat kanë paraqitur kërkesa më të mëdha. Në vitin 2022 ka demonstruar që në Kosovë kemi distribuuar më së shumti, shpresojmë që edhe në vitin 2023 të ndodhë njëjtë (100 milionë euro). Janë tri instrumente kryesore që vlen me i përmend; gratë në biznes, programin Reboot për ndërmarrje të vogla dhe të mesme e për investime në energji efiçiente ose për teknologji më bashkohore, si dhe kemi programin të Rinjtë në Biznes që sapo kemi nënshkruar marrëveshjen me Bankën për Biznes. Po ashtu, kemi edhe një fond i cili quhet për zgjerimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Ballkan, prej të cilave investimi i parë që është bërë, është ai me Proex. Shpresojmë që .... të investojmë edhe në kompani të ngjashme si kjo”, thotë ajo.
“Ne nuk ndajmë sektorë, mendojmë se potenciali i zhvillimit në Kosovë është në të gjithë sektorët. Pa dyshim që do të fokusohemi në fushën e ICT-së (shërbimi i informacionit dhe teknologjisë), e cila ka filluar një zhvillim të madh në Kosovë. Mendojmë se në këtë sektor, asisitenca jonë, qoftë përmes këshillimit apo financimit, është më e nevojshme për shkak se bankat komerciale nuk kanë instrumente financiare për me i mbështetur ICT-n. Por, gjithashtu nuk përjashtohen edhe sektori i sportit, industria e drurit, metal përpunuesit dhe industria e përpunimit të ushqimit”, thekson ajo.
Më 2022, përmes institucioneve mikrofinanciare dhe Bankë Për Biznes, janë financuar diku 1000 biznese, kurse përmes ngritjes së kapaciteteve dhe këshillimeve për gratë, rreth 500 gra kosovare kanë marrë asistencë teknike.
Sa i përket instrumentit financiar Reboot, ky program është duke u implementuar nga Procredit Bank, Raiffeisen Bank në Kosovë dhe Banka Për Biznes.
Në atë instrument financiar për t’i nxitur kompanitë për të investuar në energji të ripërtritshme ose teknologji më bashkohore, ku kredia është deri në 1 milion euro dhe BERZH jep deri në 15 për qind grant, nga donatorët, sidomos Komisioni Evropian./I.Shabani/