Hulumtimi i ri konfirmon se rrotullimi i bërthamës së brendshme të Tokës është ngadalësuar si pjesë e një modeli prej dekadash. Se si ky ngadalësim mund të ndikojë në planetin tonë mbetet një pyetje e hapur.
Kjo bërthamë e brendshme ka intriguar studiuesit që nga zbulimi i saj nga sizmologia daneze Inge Lehmann në vitin 1936, dhe mënyra se si lëviz - shpejtësia dhe drejtimi i rrotullimit të saj - ka qenë në qendër të një debati të gjatë dekadash.
Një pjesë e problemit është se brendësia e thellë e Tokës është e pamundur të vëzhgohet ose të ekzaminohet drejtpërdrejt. Sizmologët kanë mbledhur informacion në lidhje me lëvizjen e bërthamës së brendshme. Variacionet midis valëve me forca të ngjashme që kaluan nëpër bërthamë në kohë të ndryshme u mundësonin shkencëtarëve të matin ndryshimet në pozicionin e bërthamës së brendshme dhe të llogarisin rrotullimin e saj.
"Rrotullimi diferencial i bërthamës së brendshme u propozua si një fenomen në vitet 1970 dhe '80, por vetëm në vitet '90 u publikuan provat sizmologjike," tha Lauren Waszek, një ligjërues i lartë i shkencave fizike pranë Universitetit James Cook në Australi.
Në atë kohë, disa ekspertë paralajmëruan se nevojiteshin më shumë të dhëna për të forcuar këtë përfundim, dhe tani një ekip tjetër shkencëtarësh ka dhënë prova të reja bindëse për këtë hipotezë rreth shkallës së rrotullimit të bërthamës së brendshme.
Hulumtimi i botuar më 12 qershor në revistën Nature jo vetëm që konfirmon ngadalësimin bazë, por mbështet propozimin e vitit 2023 se ky ngadalësim bazë është pjesë e një modeli dekadash të ngadalësimit dhe përshpejtimit.
Bërthama ndodhet rreth 5.180 kilometra thellë brenda Tokës, është e rrethuar nga një bërthamë e jashtme metalike e lëngshme. Bërthama e brendshme është e përbërë kryesisht nga hekur dhe nikel, dhe vlerësohet të jetë po aq e nxehtë sa sipërfaqja e diellit - rreth 5.400 gradë Celsius.
Lëngu i pasur me metal në bërthamën e jashtme gjeneron rryma elektrike që fuqizojnë fushën magnetike të Tokës, e cila mbron planetin nga rrezatimi diellor vdekjeprurës. Megjithëse ndikimi i drejtpërdrejtë i bërthamës së brendshme në fushën magnetike është i panjohur, shkencëtarët kishin raportuar më parë në vitin 2023 se një bërthamë me rrotullim më të ngadaltë mund të ndikojë potencialisht në të dhe gjithashtu të shkurtojë pjesërisht gjatësinë e një dite.
Për studimin e ri, Vidale dhe bashkautorët e tij vëzhguan valë sizmike të prodhuara nga tërmetet në të njëjtat vende në kohë të ndryshme. Ata gjetën 121 shembuj të tërmeteve të tilla midis viteve 1991 dhe 2023 në Ishujt Sandwich të Jugut, në Oqeanin Atlantik.
Kur bërthama lëvizë mbrapshtë, tha Vidale, kjo ndikon në kohën e mbërritjes së valës. Krahasimi i kohës së sinjaleve sizmike teksa preknin bërthamën zbuloi ndryshime në rrotullimin e bërthamës me kalimin e kohës, duke konfirmuar ciklin e rrotullimit 70-vjeçar. Sipas llogaritjeve të studiuesve, bërthama është pothuajse gati për të filluar përsëri përshpejtimin.
Sizmografët zbuluan gjithashtu se, gjatë ciklit 70-vjeçar, rrotullimi i bërthamës ngadalësohet dhe përshpejtohet me ritme të ndryshme, "gjë që do të ketë nevojë për një shpjegim," tha Vidale. “Nëse ajo deformohet ndërsa rrotullohet, kjo mund të ndikojë në simetrinë e shpejtësisë së tij rrotulluese”, shtoi ai.
Ndryshimet në rrotullimin e bërthamës janë të padukshme për njerëzit, tha Vidale. Kur bërthama rrotullohet më ngadalë, manteli përshpejtohet. Ky ndryshim bën që Toka të rrotullohet më shpejt dhe kohëzgjatja e një dite shkurtohet.