Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha atakoi në fjalën e mbajtur gjatë protestës së opozitës qeverinë Rama. Berisha tha se kryeministri Rama dhe qeveria e korruptuar kanë vjedhur miliona euro si kurrë më parë në historinë e Shqipërisë.
Ai tha se kjo është protestë e revolucionit paqësor, në të cilën siç tha ai, janë të vendosur të shkurtojnë ditët e kësaj qeverie anti-shqiptare.
Ai shtoi se sot secili ka para vetës një mision të madh për kombin e tyre.
“Cili është qëllimi i këtij revolucioni? Qëllimi i këtij revulucioni është përmbysja e monizmit të bazuar në krimin, drogën, në vjedhjen dhe plaçkitjen e shqiptarëve. Kurrë në histori, një njeri nuk ka vjedhë këtë komb siç e ka vjedhur Edi Rama me organizatën e tij kriminale. Në një kohë që ju përcillni fëmijët jashtë për kafshatën e gojës, kryeministri shpirtlig, vendos prapa kësaj ndërtese, vazon 4 milionë euro, e mjaftueshme për të blerë ilaçet një muaj të gjithë pensionistët shqiptarë. Në një kohë kur ju, gëzimet familjare, dasmat, ditëlindjet, festat e tjera, mezi i gëzoni se nuk keni para, ky krim-ministër shëtit me avionin e tij në dispozicion me dhomë gjumi, dreko dhe darkon me 10 mijë euro, shpenzon me fluturime 22 milionë euro”, tha Berisha.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta mbajti fjalën e tij në protestën e opozitës këtë të premte.
Sipas tij, Edi Rama ka implikuar një regjim lider për largimin e vendit.
Kreu i Partisë së Lirisë tha se siguria juridike është tronditur në themel.
“Jemi sot këtu sepse është tronditur në themel siguria juridike, parim themelor i kushtetutës sonë. Jemi këtu sepse këtij të marri nuk i mjafton që uzurpoi Partinë Socialiste, që e shndërroi në një bandë plaçkitëse, me deputetë të cilët janë vetëm kartona dhe nuk kanë asnjë bindje politike. Nuk kanë asnjë kujtesë për sa i takon të kaluarës, nuk kanë asnjë shqetësim sa i takon të ardhmes së këtij vendi e sidomos edhe të vet fëmijëve të tyre. Dhe tani kërkon të marri edhe vulën e Partisë Demokratike, ky njeri me probleme të mëdha mendore, karakteriale, politike, sot është në panikun e presioneve më mafioze që ushtrohen nga të gjithë ata mbështetjen që kërkoi për të kapur shtetin”, deklaroi Meta. /KosovaPress