Ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha vendosi të ndryshojë qëndrim pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve, ku thotë se do të këshillohet me avokatët nëse do ta respektojë vendimin e Prokurorisë së Posaçme.
Kjo ishte deklarata e Berishës në konferencën e sotme, ndryshe nga deklaratat e mëparshme kur SPAK dorëzoi kërkesën në Kuvend për rëndimin e masës që Berisha thoshte se do të zbatonte vendimin e Parlamentit, cilido të ishte ai.
Por vendimi i parlamentit për mua është abrogimi që i bëjnë ata nenit 73, pika 2. Është problemi i tyre pastaj kjo. Është edhe në Gjykatë Kushtetuese kjo, por nuk pres ndonjë gjë të madhe se vetëkuptohet se çfarë kontrolli ka mbi të. Por unë në respekt të Kushtetutës, e kam çuar edhe në Gjykatë Kushtetuese. …Edhe njëherë, vendimi i parlamentit merret mbi një vendim të paligjshëm. Unë nuk mund të pranoj të ligjshëm një vendim që merret mbi bazën e një vendimi të paligjshëm. Unë e denoncoj vendimin se është i paligjshëm. Vendimi i marrë pa shqyrtuar asnjë dokument, asnjë dosje, por thjesht për rëndim sepse unë kam refuzuar të pranoj dhunimin e Kushtetutës, kjo është marrëzia më e madhe. Natyrisht unë kam avokatët, i dëgjoj sepse me votimin e parlamentit mbyllet një cikël i këtij procesi. Dhe unë në këshillim me avokatët, do të marr vendimet që duhet të marr.
Dje pashë që ajo seancë ishte turpi më i madh në historinë e këtij parlamenti. Unë mendova se aty do të shkojë dosja, siç thotë rregulli, siç thotë ligji. Dhe të vetmen pyetje që u bë, u tha na nxirr një dokument për rolin që ka luajtur Berisha në ndryshimin e destinacionit. Mirëpo ai nuk kishte kurajë ta nxirrte se dilte Edi Rama aty. Jo tha, nuk jemi këtu për këto, tha. Po si nuk je për këto? Po nuk shkon kurrë në parlament prokurori përveçse për këtë. Dhe vetë ligji i parlamentit e thotë se shqyrtohen një e nga një dosjet”, tha Berisha.
Kuvendi i Shqipërisë do të votojë të enjten e 21 dhjetorit për të autorizuar SPAK-un të arrestojë Sali Berishën, pasi Këshilli i Mandateve i hapi rrugë një ditë më parë kësaj kërkese. /tch