Kosovës i duhet një ndryshim esencial politik për të ecur në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkim Evropian dhe NATO, thotë kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ali Berisha.
Berisha, i cili në zgjedhjet e 9 shkurtit garon me numrin 23, thotë se gjendja jo e mirë në të cilën sipas tij ndodhet vendi, e ka shtyrë të kandidojë për deputet të Kuvendit të Kosovës.
“Besoj është një situatë jashtëzakonisht e rëndësishme sot që të jesh deputet i Kuvendit të Kosovës dhe të kontribuosh për një ndryshim eventual pozitiv që do të ndodh në Kosovë. Pasi që mendoj, jo vetëm unë, por një pjesë e madhe edhe kolegëve, mendojmë se Kosovës i duhet një ndryshim pasi që Kosova aktualisht nuk është mirë në shumë aspekte të zhvillimit të saj. Nuk është mirë në aspektin ekonomik, nuk është mirë në aspektin e vizionit të saj për integrime qoftë evropiane, qoftë euro-atlantike, nuk është mirë në shëndetësi, nuk është mirë në arsim, dhe në shumë aspekte të tjera. Edhe ekonomia aktualisht nuk është mirë pasi që nuk mbështetet mjaftueshëm nga Qeveria e Kosovës, bizneset e mëdha dhe të vogla nuk kanë mbështetje adekuate, ndërsa bizneset e mëdha po fyhen e po denigrohen. Dhe duke i pasur për bazë të gjitha këto, kam kandiduar për deputet të Kuvendit të Kosovës dhe besoj që të gjitha këto që janë shqetësime të qytetarëve të Pejës do të ngriten në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të jetë një e ardhme më e mirë për shtetin e Kosovës”, thekson ai.
Ish-kryetari i Pejës deklaron se Kosovës i duhet një ndryshim esencial politik në mënyrë që t’i kthehet vizionit të saj dhe orientimit euro-atlantik.Berisha, që njihet si mjeku i luftës, beson që tani është momenti që të bëhet depolitizimi dhe decentralizimi në sistemin shëndetësor.
“Prioritet i parë është që zhvillimi të mos jetë i orientuar vetëm bazuar në aspektin politik, ju e shihni që Peja dhe ky regjion nuk ka asnjë investim të mirëfilltë, asnjë metër i autostradës për katër vite që kaluan nuk është shtruar në këtë pjesë të Dukagjinit, rruga që lidhë Kieven me Pejën e keni parë në çfarë gjendje është, dhe qytetarët e Pejës e kanë jashtëzakonisht problem qarkullimin deri në Prishtinë apo edhe më tutje. Shëndetësia sidomos, është shumë e centralizuar dhe besoj që jo vetëm unë, por të gjithë ata që janë punëtorë shëndetësorë duhet ta ngrisim zërin për një depolitizim dhe decentralizim të shëndetësisë. Duhet të ketë më shumë investime në shëndetësi, duhet të kemi sigurime shëndetësore, duhet të kontribuojmë për Sistemin Informativ Shëndetësor të jetë më funksional në mënyrë që shëndetësia njëherë e përgjithmonë të jetë më mirë dhe në shërbim gjithë qytetarëve”, shprehet Berisha.
Fushata për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë ka filluar me 11 janar, ndërkaq, zgjedhjet mbahen më 9 shkurt.