Berisha: Brukseli “karton të kuq” Ramës për mungesë të dialogut me opozitën
Kreu i Rithemelimit Sali Berisha tha në një konferencë sot, se refuzimi i BE për hapjen e kapitujve me Shqipërinë i faturohet politikës destruktive të kryeministrit Edi Rama me opozitën.
Sipas Berishës, falë qëndresës dhe akteve të Grupit parlamentar të Partisë Demokratike (PD), Këshilli i Ministrave të BE-së, nxori si “karton të parë të kuq”, qëndrimet e Ramës ndaj parlamentit të përmbledhura në kërkesën për dialog konstruktiv.
“Falë qëndresës dhe akteve të Grupit Parlamentar të PD, e vërteta është se Brukseli, Këshilli i Ministrave të BE-së, nxori si “karton të parë të kuq”, qëndrimet e Edi Ramës ndaj parlamentit, të përmbledhura në numrin 1, kërkesën për dialog konstruktiv. Por, ai ka zgjedhur rrugën tjetër. Pra, nuk ka asgjë më të rëndësishme në deklaratë sesa pika e parë. Pika e parë e asaj deklarate është se për të hapur negociatat, Shqipëria duhet të ketë atë që Edi Rama po e mbyt. Natyrisht, me qartësi të kristaltë e ka shprehur në një hark kohor njëmujor qëndrimin e vet, Komisioni Evropian, qoftë me raportin për Shqipërinë, qoftë me deklaratën direkt të zyrës së (Josep) Borrel për zhvillimet në Parlamentin shqiptar”, tha Berisha.
Ai shtoi se është emergjente që kjo mosbindje në parlament të shoqërohet tashmë nga mosbindja qytetare.
“Të pasohet nga mosbindje e fuqishme qytetare. Nuk ka integrim me Edi Ramën. Lexoni shtatë pikat. Asnjëra nuk mund të realizohet nga ai. As më e thjeshta që është censusi”, u shpreh Berisha. /EuronewsAlbania