Berati në UNESCO, 17 vjetori i regjistrimit në trashëgiminë botërore
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Berati në UNESCO, 17 vjetori i regjistrimit në trashëgiminë botërore
Berati
08/07/2025 - 10:11
Linku u kopjua

Më 8 korrik të vitit 2008 qyteti i Beratit iu bashkëngjit listës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Berati, për shkak të objekteve muzeale me vlera të mëdha kombëtare, ishte shpallur qytet-muze që në vitin 1961. Kalaja e Beratit, ura me 7 harqe e Goricës, katedralja “Fjetja e Shën Mërisë”, Muzeu Onufri, Epitafi i Gllavenicës, Kodiku i Purpurt i Beratit etj, përbëjnë pasurinë historike të qytetit 2400-vjeçar.

Pas hyrjes në UNESCO (Organizatës për Edukim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara), ku vendi ynë aderon që prej vitit 1958, qyteti i “një mbi një dritareve” do të promovonte vlerat monumentale dhe do të përfaqësohej ndërkombëtarisht së bashku me qytetin e Gjirokastrës, si një sit i vetëm për shkak të ngjashmërisë arkitektonike dhe historike, shkruan Atsh.

Berati, sipas UNESCO-s është dëshmitar i bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme fetare dhe kulturore përgjatë shekujve. Në kriterin e tretë të arsyes së nënshkrimit të Beratit në UNESCO shprehimisht thuhet se; Berati dhe Gjirokastra janë një dëshmi e shquar e diversitetit të shoqërive urbane në Ballkan, dhe të jetëgjatësisë së mënyrave të jetës të cilat sot pothuajse janë zhdukur.

Kriteri i katërt thotë se dy qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës janë dëshmi e jashtëzakonshme për llojet e ndryshme të monumenteve dhe banesave popullore urbane gjatë periudhës Klasike Osmane, në vazhdimësi me kulturat mesjetare që e paraprinë atë. Ky është një vlerësim mjaft i rëndësishëm për qytetin e Beratit i cili renditet kështu midis 600 vendeve të botës që janë në UNESCO si rrjedhojë e trashëgimisë së tyre universale.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026