Belgjika në telashe: Ish-mbrojtësi i PSG dhe Borussia në pikëpyetje për EURO 2024
Mbrojtësi i skuadrës belge të futbollit dhe Trabzonspor, Thomas Meunier (32) është lënduar në ndeshjen përgatitore të së shtunës kundër Luksemburgut (3:0) dhe është e dyshimtë nëse do të jetë në gjendje të luajë në EURO 2024 që fillon më 14 qershor.
Meunier u largua nga fusha pas më pak se një çerek ore lojë, për shkak të një dëmtimi në muskulin e djathtë të kofshës.
Mbrojtësi belg nuk do të udhëtojë me ekipin kombëtar në Gjermani, në pritje të testeve të detajuara për të vlerësuar ashpërsinë e dëmtimit të tij, njoftoi të dielën federata belge.
Këto janë probleme të reja për trajnerin Domenico Tedesco, i cili tashmë ishte pa të dëmtuarin Jan Vertonghen (Anderlecht) dhe Arthur Theate (Stade Rennais). Kësaj i duhet shtuar mungesa e portierit Thibaut Courtois, për shkak të një konflikti me trajnerin.
Belgjika është në Grupin E me Sllovakinë, Rumaninë dhe Ukrainën. Ndeshjen e parë belgët do të luajnë kundër sllovakëve.