Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, sot ka zhvilluar takimin e dytë me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar rreth procesit të zgjedhjes së Presidentit të ri.
Ky takim është zhvilluar menjëherë pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ku u morën qëndrime lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit.
“Përgjegjësia për këtë proces është e qartë dhe e padiskutueshme: i takon partisë më të madhe dhe shumicës parlamentare që udhëheq me vendin. Ata që e kanë mandatin për të qeverisur, e kanë edhe detyrimin për ta siguruar zgjedhjen e Presidentit”, citohet Hamza në komunikatë.
Ai ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës ka vepruar me maturi dhe përgjegjësi.
Kryetari i PDK-së ka thënë se e ka pranuar takimin e parë me Kurtin për çështjen e Presidentit, me bindjen e sinqertë se ekzistonte vullnet për një figurë unifikuese, për një anëtar të familjes emblematike Jashari, që do ta përfaqësonte unitetin kombëtar dhe do ta kishte mbështetjen e plotë të PDK-së.
Pas deklarimit publik të familjes Jashari, Hamza ka thënë se rrethanat ndryshuan.
Ai ka shtuar se kanë kaluar dy muaj nga zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe më shumë se dy javë nga votimi i Qeverisë Kurti 3, duke mbetur vetëm edhe katër ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit.
“Në këtë kontekst kohor, është legjitime të shtrohet pyetja nëse takimet e minutës së fundit po zhvillohen për të gjetur realisht një zgjidhje, apo për të ngushtuar artificialisht kohën, në mënyrë që presioni të zhvendoset tek opozita. Një qasje e tillë do të ishte e papërshtatshme për një proces kaq të rëndësishëm, që lidhet drejtpërdrejt me stabilitetin politik dhe funksionimin normal të institucioneve të vendit”, ka shtuar ai.
Partia Demokratike e Kosovës, siç ka thënë Hamza, ka dëshmuar atë që duhej ta dëshmonte një opozitë e përgjegjshme: ka treguar vullnet politik, pjesëmarrje në takime, qëndrime të qarta dhe gatishmëri për zgjidhje në interes të stabilitetit të vendit.
Ai ka thënë se shumica parlamentare tani e ka të qartë pozicionin e PDK-së.
“Përgjegjësia për prodhimin e rezultateve bie mbi qeverinë dhe shumicën e saj, sepse opozita ka rol kontrollues, jo rol shpëtues”, ka thënë ai.
Në fund të fjalës së tij, Hamza ka thënë se Kosova ka nevojë për President, për institucione funksionale dhe për stabilitet, por mbi të gjitha ka nevojë edhe për një shumicë parlamentare që e mban peshën e përgjegjësisë larg kalkulimeve afatshkurtra dhe lojërave politike.