Bashkimi Evropian ka thënë të shtunën se veprimet e Wagnerit në Rusi janë “çështja e brendshme” e tyre.
Duke theksuar se blloku po vëzhgon nga afër situatën në Rusi, derisa ajo shpaloset, presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel ka shkruar në Twitter se "Kjo është qartë një çështje e brendshme ruse".Michel shtoi se mbështetja e BE-së për Ukrainën dhe presidentin e saj, Volodymyr Zelenskyy mbetet e palëkundur.
Në një zhvillim të ngjashëm, Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme të BE-së, postoi në Twitter se ai kishte telefonata me ministrat e jashtëm të G7, në të cilat u diskutua situata në Rusi.
Presidenti rus, Vladimir Putin akuzoi shefin e Wagner, Yevgeny Prigozhin për tradhti në një fjalim kombëtar të shtunën, pasi luftëtarët paraushtarakë kaluan kufirin nga Ukraina në Rusi, duke hyrë në qytetin e Rostov-on-Don.
Ndërkohë, para pak orësh, grupi Wagner ka postuar një video duke thënë se një automjeti në kolonë është goditur me sulme ajrore nga forcat ruse.
Prigozhin akuzoi forcat ruse për sulmimin e luftëtarëve të tij, një pretendim që Moska e mohon.
Prigozhin në muajt e fundit ka akuzuar në mënyrë të përsëritur Ministrinë ruse të Mbrojtjes dhe ministrin e Mbrojtjes, Sergej Shoygu se nuk i kanë furnizuar me armë të mjaftueshme grupit paraushtarak.
Rusia nisi "operacionin e saj special ushtarak" në Ukrainë më 24 shkurt të vitit të kaluar./AA/