Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Arsimit, Bashkimi Evropian riafirmon përkushtimin e vet të vazhdueshëm për avancimin e sektorit të arsimit në Kosovë. Përmes një komunikate për media thuhet se prej vitit 2007, BE-ja ka investuar mbi 85 milionë euro në iniciativa që synojnë rritjen e cilësisë, qasjes dhe gjithëpërfshirjes në sistemin arsimor për të gjitha komunitetet në Kosovë.
“Këto përpjekje synojnë t’u ofrojnë studentëve dhe botës akademike në Kosovë mundësi të krahasueshme me ato në BE, duke kontribuar gjithashtu në zhvillimin ekonomik të bazuar në njohuri dhe krijimin e vendeve të punës”, thuhet në njoftim.
“Ky investim jo vetëm që ka përmirësuar infrastrukturën arsimore, por gjithashtu ka forcuar kornizën e politikave që rregullon arsimin në Kosovë, ka përmirësuar cilësinë e materialeve të mësimdhënies dhe teksteve shkollore, ka promovuar mësimnxënien digjitale, si dhe ka mbështetur përfshirjen e grupeve të cenueshme. Si pjesë e Programi më të gjerë të BE-së për Punësimin dhe Arsimin, BE-ja ka mbështetur ndërtimin e objekteve të reja të Fakultetit e Shkencave Matematike-Natyrore me vlerë 8.9 milionë euro, duke shënuar një nga projektet e shumta për infrastrukturën kyçe në mbarë Kosovën”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se deri më sot, BE-ja ka financuar ndërtimin e shkollave të reja dhe rinovimin e mbi 20 objekteve arsimore, duke përmirësuar ndjeshëm mjediset e mësimnxënies.Në këtë komunikatë ndër të tjera thuhet se pjesëmarrja e Kosovës në programin Erasmus+ është zgjeruar ndjeshëm.