BE nuk pranon pasaportat ruse të lëshuara në Ukrainë dhe Gjeorgji
Lexohet për: 2 min.
BE
2 vite më parë
Linku u kopjua

Këshilli i BE-së vendosi sot të mos pranojë pasaportat ruse të lëshuara në Ukrainë dhe Gjeorgji.

Kjo do të thotë se dokumentet ruse të udhëtimit të lëshuara për personat që banojnë në rajonet nën pushtimin rus në Ukrainë ose territoret e shkëputura në Gjeorgji nuk do të pranohen si dokumente të vlefshme udhëtimi për marrjen e vizës ose kalimin e kufijve të zonës Shengen.

Dokumentet ruse të udhëtimit të lëshuara në këto rajone nuk njihen tashmë ose janë në proces të mosnjohjes në vendet anëtare të BE-së.

Qëllimi i kësaj veçorie është të krijojë një qasje të përbashkët, të sigurojë funksionimin e duhur të kufijve të jashtëm dhe politikës së përbashkët të vizave dhe të mbrojë sigurinë e vendeve anëtare të BE-së, njoftoi Këshilli i BE-së.

Vit Rakusan, ministri i Brendshëm i Republikës Çeke, tha se vendimi i sotëm i Këshillit është një tjetër dëshmi e mbështetjes së fortë për Ukrainën.

“Është provë se ne kurrë nuk do ta njohim aneksimin e paligjshëm të territorit të saj nga Rusia dhe ne përsërisim se është e drejta e Ukrainës për të çliruar dhe rifituar kontrollin e plotë mbi të gjitha territoret e pushtuara”, tha Rakusan.

Vendimi është gjithashtu një përgjigje ndaj agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës dhe praktikës ruse të lëshimit të pasaportave ndërkombëtare ruse për banorët e rajoneve të pushtuara, si dhe vendimit të njëanshëm të Rusisë për të njohur pavarësinë e territoreve gjeorgjiane të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut në vitin 2008.

Që nga marsi i vitit 2014, Rusia ka lëshuar pasaporta ndërkombëtare ruse për banorët e Krimesë. Kjo praktikë u shtri në rajonet e Donetsk dhe Lugansk në prill 2019, dhe më pas në rajonet e pushtuara të Kherson dhe Zaporozhzhia në korrik 2022.

“Lëshimi sistematik i pasaportave ruse në rajonet e pushtuara paraqet një shkelje të mëtejshme të së drejtës ndërkombëtare dhe integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës”, thotë BE.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024