Bashkimi Evropian është duke shqyrtuar edhe si t’i qaset dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe kandidatët potencialë për ta ndërmjetësuar atë.
Prej se është konfirmuar se përfaqësuesi i tashëm i posaçëm i BE-së në këtë dialog, Mirosllav Lajçak, është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, ku duhet të nisë mandatin më 1 shtator, kanë nisur edhe spekulimet se kush do të jetë pasardhës i tij.
Sipas burimeve diplomatike, edhe zgjedhja e pasardhësit të Lajçakut, në një mënyrë, është e lidhur me zgjedhjet evropiane, që do të bëhen këtë verë.
Këto burime thonë se përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, nuk do të jetë ai që do ta emërojë pasardhësin e Lajçakut në postin e të dërguarit të posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, por se kjo do t’i lihet shefit apo shefes së ardhshme të politikës së jashtme të BE-së.
Emërimi i përfaqësuesit të lartë është një proces që mund të zgjatet, sepse lidhet me emërimet në postet e tjera udhëheqëse të BE-së, për të cilat duhet të ketë një balancë mes grupimeve partiake në BE dhe mes vendeve anëtare.
Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, që do të zhvillohen nga data 6 deri më 9 qershor, udhëheqësit e vendeve anëtare do të tentojnë të merren vesh për emërimin e presidentit të Komisionit Evropian. Për këtë, duhet ta kenë shumicën e kualifikuar në Këshillin Evropian. E, pasi të merren vesh për këtë pozitë, duhet ta zgjedhin presidentin e Këshillit Evropian dhe përfaqësuesin e lartë.
“Synim do të jetë që e tërë paketa të dakordohet mes liderëve të vendeve anëtare para fundit të qershorit. Kjo do t’i mundësonte Parlamentit Evropian që t’i konfirmonte këto emërime në seancën e korrikut. Përndryshe, do të duhej të kalonin në seancat e vjeshtës dhe kjo do të krijonte vonesa“, thotë një diplomat i BE-së.
Nëse Ursula von der Leyen, presidentja e tashme e Komisionit Evropian, e fiton edhe një mandat në këtë post - e ajo është favorite pasi është kandidate e grupit më të madh politik në Parlamentin Evropian, i njohur si EPP - atëherë pritjet janë që presidenti i Këshillit Evropian, si pasardhës i Charles Michelit, të jetë nga radhët e liberalëve.
Burimet diplomatike në BE nuk presin të ketë vakum, sepse, sipas tyre, nëse pasardhësi i tij nuk do të jetë i emëruar deri në fund të gushtit, Lajçakut do t’i zgjatet mandati për disa muaj.
Në mesin e kandidatëve që janë përmendur deri tash si pasardhës të mundshëm të tij është ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor. Vetë ai dhe Ministria e Jashtme e Sllovenisë kanë konfirmuar se ka interes për këtë post.
Në mesin e kandidatëve potencialë, nga burimet diplomatike në BE përmenden edhe ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, dhe diplomati danez, Peter Sorensen, të cilët kanë edhe përvojë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.
Burimet e BE-së thonë se, kushdo që të jetë në atë post dhe pa marrë parasysh se kush do të jetë përfaqësues i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, do të duhet të insistojë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që Kosova dhe Serbia kanë arritur deri më tash në dialog.
Burimet nuk mohojnë se ka një dozë zhgënjimi me mungesën e progresit më të madh në procesin e deritashëm të dialogut. Por, vetë BE-ja, përgjegjësinë për këtë ua lë palëve në dialog.
Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011.
Nga dhjetëra marrëveshjet e arritura deri më tash, shumica nuk janë zbatuar.
Nën Lajçakun, në vitin 2023, është arritur edhe Marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve, e cila u bë e njohur si Marrëveshja e Ohrit, por edhe ajo ka mbetur kryesisht e pazbatuar./REL/