Bashkimi Evropian njoftoi sot miratimin e një pakete ndihme prej 10 milionë eurosh për ushtrinë armene, duke shënuar herën e parë që blloku prej 27 anëtarësh vendosi të mbështesë Erevanin zyrtar përmes Fondit Evropian të Paqes.
“Sot, Këshilli miratoi një masë ndihme në kuadër të Fondit Evropian të Paqes (EPF) në mbështetje të Forcave të Armatosura të Republikës së Armenisë me vlerë 10 milionë euro”, tha Këshilli i BE-së në një deklaratë.
Paketa e ndihmës synon të forcojë kapacitetet logjistike të Forcave të Armatosura Armene dhe të kontribuojë në përmirësimin e mbrojtjes së civilëve në kriza dhe situata emergjente.
Ajo synon gjithashtu të rrisë qëndrueshmërinë e Armenisë dhe të përshpejtojë ndërveprimin e Forcave të saj të Armatosura në rast të pjesëmarrjes së mundshme të ardhshme të vendit në misionet dhe operacionet ushtarake ndërkombëtare, përfshirë ato të dislokuara nga BE-ja.
Pas humbjes së saj në Luftën e Dytë të Karabakut në vjeshtë 2020, Armenia i është drejtuar gjithnjë e më shumë Perëndimit për ndihmë ushtarake, duke u distancuar nga strukturat rajonale. /AA