Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoni të Veriut me shqetësim siç thuhet ‘ndjek lehtësinë me të cilën gënjeshtrat dhe manipulimet ditoroe botohen dhe shpërndahen pa asnjë ndjenjë përgjegjësie për fjalën publike’.
Në reagimin e BDI-së thuhet se akuzat e ministrit të Transportit, Aleksandar Nikolovski, në lidhje me përfitimin e funksionarëve të BDI-së në procesin e ndërtimit të autostradës Shkup-Bllacë, janë të pabaza dhe plotësisht të pavërteta.
Sipas BDI-së, dy kilometrat e para tek kufiri në Bllacë janë të përfunduara në Qeverinë e kaluar.
“Juve ju ka mbetur vetëm ta lëshoni në përdorim. Vazhdimi i asaj autostrade në gjatësi prej 10 kilometra, është projektuar nga kompania amerikane Hill dhe është finansuar nga BERZH, bashkë edhe me asistencën teknike. Ky projekt finansohet me kredi nga BERZH, ku rreth 30 milion € janë grant. Traseja e autostradës është përzgjedhur për ta evituar shkatërrimin e varrezave të Bllacës dhe poligonin ushtarak Stenkovec”, thuhet në komunikatë.
“Çdo ri-projektim do të zgjasë gati se 3 vjet. Sa i përket shpronësimit, minimumi i çmimit për shpronësim i paguar deri më tani aty nga shteti është 2€ për metër katror ndërsa maksimumi 20 €, kështu që pretendimet e Nikollovskit janë absurde. Prandaj, ftojmë ministrin Nikolovski të paraqet dëshmi konkrete për akuzat e tij. Nëse këtë nuk e bën, do ta konsiderojmë se ai është një krijues i lajmeve të rreme dhe propagandës si dhe kundërshtarë i projekteve që na lidhin me Shqipërinë dhe Kosovën”.
Në treagim thuhet se Bashkimi Demokratik për Integrim gjithmonë ka vepruar me transparencë dhe integritet në shërbim të qytetarëve dhe vendit.