Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përcolli sot pamje nga transformimi rrënjësor i Aeroportit Ushtarak të Kuçovës.
Rama u shpreh se kjo bazë ajrore taktike do të luajë rol kyç në mbështetjen e operacioneve të NATO-s.Komandanti i Forcës Ajrore, gjeneralbrigade Ferdinand Dimo shpjegoi investimin e zhvilluar në aeroportin e Kuçovës.
“Në vitin 2021 u parashikuan të kryheshin investimet për rivitalizimin e instalimeve të bazës së Kuçovës. Tashmë sot jemi në përfundim të implementimit të 3 projekteve të rëndësishme siç është sistemi i rrethimit dhe i sigurisë, po ashtu edhe i mbrojtjes perimetrale të bazës”, tha ai.
“Jemi në përfundim të të gjitha punimeve që trupat e Forcës Ajrore të stërviten në këtë bazë. Por jo vetëm kaq, trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të NATO-s mund të akomodohen, të stërviten dhe të fluturojnë duke u nisur nga baza ajrore e Kuçovës, që tashmë është një bazë ajrore taktike e NATO-s”- u shpreh Dino. /ATSH/