Një aksion i bastisjeve ka nisur që në orët e para të mëngjesit të sotëm në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit, Hapësinor dhe Infrastrukturës, e që ka të bëjë me rastin “Brezovica”
Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, i cili tregoi se aksioni është duke u zhvilluar në 10 lokacione.
Deri më tani Jashari tregoi se nuk ka të arrestuar.
“Po, është duke vazhduar aksioni. Aksioni është duke vazhduar në 10 lokacione përfshirë edhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor. Tani për tani nuk ka të arrestuar është duke vazhduar bastisja”, ka tregoi Jashari për KosovaPress.
Ish-kryetari i Shtërpcës dyshohet se nga viti 2014 deri në vitin 2018 ka pranuar ryshfet – para dhe dhurata me qëllim të lëshimit të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në vikend zonën e Brezovicës.
Dyshohet se ai ka pranuar para në vlerë 940 mijë euro, 5 shtëpi vikendi në vlerë 300 mijë euro, dhe një veturë në vlerë prej 78 mijë euro, për një shumë të përgjithshme 1 milion e 318 mijë euro.