Barazia gjinore, betejë me 100 fronte
Lexohet për: 6 min.
ceremoni
2 vite më parë
Linku u kopjua

Gratë dhe vajzat secilën ditë vazhdon t’i vras sistemi patriarkal i ndërtuar ndër breza, trajtimi familjar dhe mungesa e sistemit prokurorial e gjyqësor efektiv të cilat duhet ndryshuar. Megjithatë, synimi duhet të jetë parandalimi i vrasjeve që i ka rrënjët e thella e të shpërndara në familje, shoqëri, sistemin e edukimit dhe ekonomi.

Kështu u tha në ceremoninë përmbyllëse të fushatës globale ”16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se situata gjinore në Kosovë është larg asaj që e dëshirojmë, pasi pikërisht gjatë këtij 16 ditëshi ndodhën dy tronditje të mëdha, vrasja e mësueses Sadie dhe Hamidës, dy vrasje prej bashkëshortëve të tyre gjë që tregon se situata është alarmante, dhe kjo edhe më shumë ia shton arsyen domosdoshmërisë së këtij aktivizmi, i cili nuk duhet të jetë vetëm 16 ditorë por duhet të jetë 24 orë gjatë gjithë vitit.

“Është një betejë me 100 fronte, njëri front është mekanizmat shtetëror të sigurisë, prej policisë e deri te gjyqësori, një front tjetër është edukimi, se çështja e barazisë gjinore nuk është vetëm një regjistër i cili mbrohet e rregullohet me mekanizmat e sigurisë, ka të bëjë me arsimin qysh prej moshave të hershme të fëmijërisë, ne duhet t’i edukojmë pa u ndalur pa u lodhur fëmijët tanë në kuptimin e asaj që quhet rolet gjinore në shoqëri, sepse ka një keqkuptim të madh edhe në këtë aspekt, mendohet që burrat duhet të kenë më të madh publik, që i kanë disa të drejta të rezervuara më të mëdha, vëllimi i të drejtave të tyre dhe hapësirës së tyre të angazhimit publik, konceptohet apriori e nënkuptueshme. Kjo duhet të luftohet edhe në shkollat tona, jo vetëm në familjet tona.. prandaj po dua me bërë thirrje për luftimin e pandeshkushmëris të cilën mund ta identifikojmë kogja shumë nëpër institucione tona të cilat e kanë përgjegjësi për t’i mbrojt gratë dhe vajzat prej diskriminimit dhe shkeljeve në baza gjinore“, tha Konjufca, duke shtuar se fronti tjetër ka të bëjë me legjislacionin, pasi të gjitha dhunimet, shkeljet dhe pabarazia duhet të kuptohet si shkelje e Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti tha se dhuna ndaj grave duhet adresuar së bashku, pasi vetëm me punë e aktivizim të përbashkët, mund ta ndryshojmë mentalitetin shoqëror dhe për këtë duhet solidaritet kombëtar e ndërkombëtar.

“Ne do të mund ta adresojmë më së mirë këtë problem kaq të madh në shoqërinë tonë sa më shumë që punojnë së bashkë, sepse gratë e vajzat secilën ditë vazhdon t’i vras sistemi patriarkal i ndërtuar ndër vite e ndër breza, vazhdon t’i vras secilën ditë secilën familje që vajzën e rrit ndryshe prej djalit sepse aty është fara e së keqes, që vajzës i thotë t’i rri në shtëpi se është vonë e djalit ia rreh krahët, vazhdon t’i vras mungesa e sistemit prokurorial e gjyqësor efektiv por ne duhet të vazhdojmë e do të vazhdojmë të punojmë së bashku e të mos dorëzohemi asnjëherë, që kryerësit e veprave të marrin dënimin e merituar, që barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë të mos bie mbi supet e vajzave dhe grave por ndër synimet tona më të mëdha duhet të jetë parandalimi i këtyre vrasjeve, e parandalimi i ka rrënjët e thella e të shpërndara, në familje, në shoqëri, në sistemin e edukimit, në ekonomi“, tha ai.

Deputetja dhe kryetarja e grupit të grave deputet, Tinka Kurti tha se shumë dokumente janë ashpërsuar gjatë kësaj kohe sa i përket vrasjeve dhe dhunimeve ndaj grave, megjithatë, derisa rastet po ndodhin, do të thotë se nuk është arritur parandalimi i tyre.

“Këtu nuk bëhet fjalë për xhelozi apo çfarëdo motivi tjetër, këtu bëhet fjalë për mentalitetin më brutal që e jep patrialkalizmi që gratë janë pronë e burrit, kësisoj janë të cenueshme, madje edhe të vrasshme në momentin e parë që nuk sillen saktësisht si prona e bindur...vrasja e grave është politike, ndaj jemi këtu ta trajtojmë politikisht, të merremi politikisht e aktivisht me të, të ndërhymë në secilën sferë derisa të mos ketë as edhe një rast më  “, tha ajo.

Kurse, drejtuesja e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rugova kaluan këto 16 ditë por dhuna nuk u ndal por veç është shpeshtuar, por ajo që është parë në këtë vit, është energjia dhe mbështetja institucionale, e cila iu ka dhënë shpresë se këto dukuri mund të ndalen.

“Të mos ndalojmë por çdo ditë tjetër ta shfrytëzojmë që të ngremë zërin së bashku dhe të sigurohemi që gjërat të ecin drejt parandalimit të dhunës, e lere më vrasjeve, prandaj iu lus ministre Haxhiu, mos të mendojmë më 16 ditshin ta bëjmë vitin e ardhshëm por çdo muaj ta gjejmë një ditë, çdo muaj ta gjejmë një ditë që ka të bëjë me jetën e qytetarëve në përgjithësi sepse ne jemi gjysma e popullatës sepse kjo çështje nuk u takon vetëm grave por edhe burrave“, tha ajo.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se aktivizmi për barazi gjinore do të vazhdojë.

“Do të vazhdojë përmes adresimit të nismave të ndryshe ligjore që kanë fokus mbrojtjen dhe trajtimin viktimave, masat ndëshkuese ndaj dhunuesve dhe trajtimin e tyre, si dhe thirrjet e vazhdueshme ndaj institucioneve të tjera sikurse prokuroria dhe gjyqësori për punë me vigjilencë e drejtësi për qytetarët dhe po ashtu jeni në përfundim të reformës në drejtësi dhe është lajm i mirë që Kuvendi dje ka votuar komisionin për reformën në drejtësi, në mënyrë që ta kthejmë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë dhe në mënyrë që në institucionet e drejtësisë të kemi gjyqtarë dhe prokurorë të cilët kanë integritet të lartë moral dhe profesional dhe të cilët janë në shërbim të qytetarëve të republikës“, tha ajo.

Gjatë këtyre 16 ditëve, u tha se janë zhvilluar mbi 200 aktivitete në rajone të ndryshme të Kosovës, me qëllim të vetëdijesimit kundër dhunës në baza gjinore.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024