Baraliu: Jo më votë për partinë Kurti
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 3 min.
bleron baraliu 27
1 ditë më parë
Linku u kopjua

Publicisti Bleron Baraliu ka reaguar lidhur me zgjedhjet parlamentare në vend që pritet të mbahen më 9 shkurt. Ai ka shkruar në Facebook se kësaj radhe ka vendosur as të mos regjistrohet për të votuar, sepse sipas tij “edhe pse vota (dhe nxitja ime pasionante në vitin 2021) për të votuar partinë VV ka qenë e drejt në rrethanat e atëhershme -- vota ime ka qenë një votë krejtësisht e pamerituar nga Kurti me qeverisjen e tij monolite dhe të pa aftë”.

Ai ka thënë po ashtu se “Në diskursin më të ri akademik, pyetje iluministe megjithatë mbetet: për kënd ka votuar akademiku i jashtëzakonshëm Rexhep Qosja në vitin 2,000 dhe a ka gabuar atëherë?! Sa janë gjasat që do të gaboj sërish - kësaj radhe, matematikisht, kam frikë vet, me përmasa shumë më të larta se atëherë?"

“Përkundër Qosjes, unë kam votuar vetëm njëherë, dhe atë në vitin 2021, për partinë Vetëvendosje (sic, LVV nuk ekziston më...). Përkundër Qosjes, kësaj radhe kam vendosur as të mos regjistrohem për të votuar, sepse -- edhe pse vota (dhe nxitja ime pasionante në vitin 2021) për të votuar partinë VV ka qenë e drejt në rrethanat e atëhershme -- vota ime ka qenë një votë krejtësisht e pamerituar nga Kurti me qeverisjen e tij monolite dhe të pa aftë”, ka shkruar Baraliu.

Ai më tej ka thënë se “Qosjes duhet t'ia kujtoj se është e vërtetë që Kurti ka sjellë një diskurs të ri rreth veriut të vendit dhe qëndrimit karshi mujsharëve ndërkombëtarë, dhe për këtë ruan merita të dalluara, është e vërtetë që Kurti 2 edhe ka tentuar disa reforma administrative e politike, por njëkohësisht është e vërtetë që, krahas sukseseve në veri, radhiten dështime pakufi në arsim, shëndetësi, ekonomi dhe diplomaci - kulminuar me tradhëti të kauzës kombëtare, si dhe tradhëti kombëtare me dorëzimin e Manastirit të Deçanit dhe legjitimimit të kishës fashiste s*rbe si një entitet juridik autonom në Kosovë”.

Sipas tij, “vota e Kurtit në këto rrethana, besoj unë, është votë e mallkuar për shpresat e vrara, mbështetje për metamorfozën 'Rugoviane' të Kurtit, thikë e fortë mbas shpine kauzës për të ardhmen e kombit tonë të bashkuar e të fuqishëm”.

Shkrimtari Rexhep Qosja ka shkruar një status sot të gjatë, në të cilin ka treguar se më 9 shkurt do të votojë për Lëvizjen Vetëvendosje. Madje, Qosja ka renditur 'arsyet' e tij për votë ndaj Albin Kurtit.

“Votimet e shkurtit 2025 do të jenë hera e dytë kur do ta ushtroj këtë të drejtë. Pse Rexhep Qosja do të votojë në këto zgjedhje në moshën tetëdhjetë e nëntë vjeçare?  Do të votoj sepse votimi, sidomos në zgjedhjet e përgjithshme, shtetërore, është obligim shoqëror, kulturor, etik e kombëtar. Do të votoj sepse më kanë nxitur para së gjithash dy të dhëna: e para, ligji që ka miratuar Qeveria me Kryeministër Albin Kurtin për sekuestrimin e pronës, pasurisë së paligjshme, korruptueshëm të fituar, dhe  e dyta fushata zgjedhore e opozitës. Është kjo një fushatë zgjedhore e pandodhur, e padëgjuar ndonjëherë në Kosovë”, ka shkruar Qosja.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025