Banorët e lagjes “Kalabria” në Prishtinë kanë protestuar të martën para Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës(MMPHI) për të kërkuar nga ministri i këtij dikasteri që të mos shfuqizohet Plani Rregullues për këtë lagje. Meqë sipas tyre shfuqizimi i këtij plani, e pamundëson mbulimin e lumit dhe punimin e rrugës “A”.
Me pankarta në duar me mbishkrimet “Mjaftë jemi të dëmtuar, duam drejtësi”, “Jemi qytetarë, trajtona të barabarte”, “Çka do të bëhet me rrugën A”, protestuesit qëndruan rreth një orë pranë objektit të MMPHI-së.
“Kërkojmë nga ministri Aliu mos ta shfuqizojë Planin Rregullativ sepse jemi duke e pritur që 15 vite kemi mbetur të bllokuar. Kërkojmë nga kryetari i komunës Përparim Rama mos ta hedh në votim, është në pyetje kolektori, nuk kemi ndriçim. Qe 15 vite kemi mbetur të bllokuar për një plan të cilën e ka miratuar qeverisja e kaluar e Shpend Ahmetit. Kryetari Përparim Rama po kërkon ta shfuqizojë, kërkojmë nga ministri Aliu të mos e lejojë këtë plan me shfuqizua sepse ne jemi mbet të bllokuar le të mendoj edhe ai për familjet tona, fëmijët tanë në lagjen Kalabria, nuk kemi ndriçim kolektori është mbulua dhe koeficientin e ka bërë 2.4 Shpend Ahmeti në qeverisjen e kaluar, ky zotëria dëshiron ta shfuqizojë të gjithë planin”, tha ai.
Krasniqi tha se të premten do të protestojnë para objektit të Komunës së Prishtinës.
“Ky plan është aprovuar në muajin e 11-të vitin e kaluar ka qenë para 7 viteve, partitë nuk janë pajtuar mes vete se i kanë pasur secila interesat e veta personale për atë. Ne kemi pritur, unë e kam kontratën që e kemi bërë para 5 viteve nuk kanë mundur me zhvillua[...]Ky qetash nëse e bene një tjetër plan ka me shkua edhe 5-6 vite edhe asgjë nuk bëhet[...]Koeficienti është normal si e kanë pru unë nuk jam më i mençur se 51 deputetë ata e kanë vendos, organi më i lartë i kësaj komune[...] Jo me luajt me popullin e kanë gjet dikën që ka pare të majme e shkel këtë plan edhe e bënë tjetrin qysh donë vet”, tha ai.
Banori i lagjes së Kalabrisë, Vedat Ulluri thotë se plani mund të korrigjohet nëse ka ndonjë gabim por jo edhe të shfuqizohet.