Ballkani u tregua skuadër më e mirë përballë Larne nga Irlanda e Veriut, duke krijuar raste të mira shënimi në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, por pa konkretizuar golin e shumëkërkuar, duke përfunduar kështu me humbje ndeshjen e parë të rrethit të tretë të kualifikimeve për Ligën e Konferencës me rezultatin 0:1.
Suharekasit dominuan në pjesën e parë, ku Bernard Karrica kishte rastin më të mirë për shënim në minutën e 33-të, por portieri mysafir Rohan Ferguson intervenoi duke mos lejuar topin të përfundojë në rrjetën e tij.
Rast të volitshëm shënimi kishte edhe Walid Hamidi shtatë minuta më vonë, por nuk arriti të gjejë golin, pasi goditja e tij e përfundoi jashtë portës së Rohan Ferguson.
Almir Kryeziu kishte një rast të mirë shënimi në minutën 71, por goditja e tij përfundoi pranë portës kundërshtare. Dy minuta më vonë Walid Hamidi nga afërsia po ashtu kishte rast të mirë për të tundur rrjetën kundërshtare, por në momentin vendimtar u ngatërrua dhe humbi topin.
Në këtë mënyrë skuadra e Ilir Dajës kualifikimin për play-off do ta kërkojë në revanshin që do të zhvillohet pas një jave në “Inver Park” të skuadrës aktuale kampione të Irlandës Veriore, Larne.
Ndryshe, këto dy skuadra janë përballur edhe vitin e kaluar në kualifikimet për Ligën e Konferencës, ku suharekasit u treguan bindshëm më të mirë duke fituar me rezultatin e përgjithshëm 7:1 – 4:1 si mysafirë dhe 3:0 si nikoqirë.