Balfin Real Estate ishte pjesë e edicionit të dytë të Kosova Finance Forum, një platformë e rëndësishme rajonale për diskutimin e zhvillimeve ekonomike dhe trendeve të investimeve. Forumi mblodhi përfaqësues të lartë nga sektori publik, privat dhe institucionet financiare të Rajonit dhe Europës, duke u kthyer në një hapësirë kyçe për diskutimin e zhvillimeve ekonomike dhe investimeve në rajon.
Në kuadër të panelit “Real Estate Investment Trends in the Western Balkans”, CEO e Balfin Real Estate, Ledia Telhai, theksoi se ecuria e sektorit të pasurive të paluajtshme reflekton stabilitetin ekonomik dhe aftësitë e vendeve për të tërhequr investime afatgjata. Ajo nënvizoi se sipas studimeve të PwC, CBRE, Colliers dhe Knight Frank, tregu global po hyn në një fazë më pozitive, por investitorët po tregohen më selektivë, duke u fokusuar në lokacione, zhvillues të besueshëm dhe projekte me vlerë të qëndrueshme.

Balfin Real Estate theksoi gjithashtu potencialin e Shqipërisë si një nga tregjet më dinamike në rajon, ku rritja e turizmit, përmirësimi i aksesit dhe interesi i investitorëve po nxisin kërkesën, veçanërisht në zonat bregdetare.


CEO e Balfin Real Estate, Ledia Telhai, theksoi se një nga elementët që e diferencon kompaninë është shtrirja e saj ndërkombëtare, me prezencë përmes zyrave në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Zvicër, SHBA dhe bashkëpuntorëve në mbi 18 tregje. Sipas saj, kjo prani i mundëson kompanisë të tërheqë interes më të gjerë nga blerës ndërkombëtarë dhe të kuptojë më mirë nevojat e tregjeve të ndryshme, duke e pozicionuar ndryshe nga operatorët që veprojnë vetëm në nivel lokal.
Telhai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si një faktor kyç për rritjen e konkurrueshmërisë dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Ajo u shpreh se e ardhmja e rajonit nuk varet vetëm nga zhvillimi individual i vendeve, por edhe nga aftësia për të bashkëpunuar, për të ndarë praktikat më të mira dhe për të promovuar Ballkanin Perëndimor si një destinacion të përbashkët për investime afatgjata.

