Kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka kundërshtuar pretendimet e partive të ish-opozitës se Ligji për Shtetësinë do të krijojë mundësi të reja për serbët që të pajisen me shtetësi të Kosovës.
Në emisionin “Intervista Zgjedhore” në KosovaPress, ai tha se interpretimet e tilla janë spekulative dhe nuk reflektojnë përmbajtjen e dokumentet të miratuar.
Bajqinovci theksoi se fokusi i ligjit mbetet te mërgata dhe qytetarët që jetojnë jashtë vendit, veçanërisht te ata që në të kaluarën, sipas tij, janë detyruar të heqin dorë nga shtetësia për shkak të legjislacionit të shteteve ku kanë shkuar.
Ligji për shtetësinë është miratuar në muajin prill, në prag të shpërndarjes së legjislaturës së dhjetë.Bajqinovci ka mbrojtur edhe projektin e ujitjes në fshatin Lupç të Podujevës, duke e cilësuar atë si një investim të rëndësishëm për bujqësinë dhe zhvillimin lokal, ndërsa ka kritikuar ish-opozitën për, siç tha ai, “sulme dhe bullizim politik”.
“ E para që ka të bëjë me ujitjen e fshatit Lupç nga Ministria e Bujqësisë dhe Pylltarisë, së bashku me Komunën e Podujevës. Por është normalisht që u panë shumë reagime nga opozita duke e sulmuar në anën e saj, duke bullizuar, që këto janë gjëra minore që të publikohen. Jo, unë mendoj që çdo njeriu të cilit i ndihmohet, çdo fshati, fshati Lupçi, nëse nuk e dini, është një prej fshatrave më të mëdha në Komunën e Podujevës. Dhe unë mendoj që duhet të përkrahet çdo iniciativë e mirë e cila ka të bëjë për çështjet bujqësore. Në fund të fundit, kjo është punë e Ministrisë së Bujqësisë”, tha ai. “...Unë mendoj që kjo është një lloj sulmi që e bën opozita, por nëse flasim për çështje të ndryshme, ne e dimë që kemi marrë një buxhet prej 2.4 miliardë dhe e kemi bërë 4 miliardë. Po, ka reflektuar. Po, sepse 1 miliard euro i ke investime kapitale, ndërsa më herët kanë qenë 700 milionë, 600 milionë. Sot i ke 250 milionë euro në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për bizneset e prodhimit, për shërbim. I ke 250 milionë euro për grante në Ministrinë e Bujqësisë. Kurrë në historinë e Republikës së Kosovës nuk ka qenë më mirë. Unë mendoj që është investim. Sot i ke shumicën e brendeve, prodhimeve vendore nëpër zinxhirët e marketeve. Ajo është investim. Pastaj e kemi investime në ushtri”, theksoi ai.