Baerbock: Sulmi ndaj Policisë në veri ishte tinëzar nga një bandë terroriste e armatosur
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock kërkoi hetim nga Serbia për sulmin në veri të Kosovës në 24 shtator.
Në konferencën për shtyp pas samitit të Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Tiranë, Baerbock u shpreh se provokimet e palës serbe për rritjen e trupave në kufi me Kosovën e kanë tensionuar situatën. Sulmin nga grupi i armatosur serb, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, ministrja gjermane e cilësoi tinëzar.
“Provokimet e palës serbe për rritjen e trupave në kufi me Kosovën e kanë nxehur edhe më tej situatën e cila edhe ashtu ishte e tensionuar dhe për këtë biseduam gjatë këtij takimi dhe kjo ndodh pas një sulmi tinëzar kundër Policisë së Kosovës nga një bandë terroriste të armatosur gjerë në dhëmbë. Presim që Serbia të çojë më përpara proceset hetimore për ngjarjet e 24 shtatorit dhe të kontribuojë në sqarimin e rrethanave të ngjarjes së majit kundër ushtarëve të KFOR. Situata është aq e tensionuar saqë NATO ka rritur prezencën e KFOR dhe përmes këtij sinjali ne bëjmë të qartë, qëndrojmë vigjilent, kontribuojmë për stabilitetin dhe sigurisë dhe të ardhmen e rajonit e kemi përemër por çelësi i zgjidhjes së konfliktit është në Beograd dhe Prishtinë... nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç që Serbia dhe Kosova të angazhohen për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe ajo që presim është më shumë gatishmëri për kompromis, më shumë kurajo për t’u bërë ballë edhe rrymave të kundërta të politikave të brendshme”, tha ajo.
Baerbock theksoi rëndësinë integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, u shpreh se këto takime zhvillohen në një moment të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor
24 delegacione nga vendet anëtare të Procesit të Berlinit u mblodhën sot në Tiranë në takimin e Ministrave të Jashtëm. Ky ishte ministeriali i fundit në serinë e tre ministerialeve që i paraprijnë Samitit në Tiranë, që do mbahet në 16 tetor.