Mbrojtja e Salih Mustafës ka filluar të paraqes deklaratën hyrëse para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Në pjesën e parë të saj, avokati Julius Von Bone ka folur për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në anën tjetër për krimet të cilët i ka kryer Serbia mbi civilët shqiptar në Kosovë gjatë luftës së fundit.
Në hapje të deklaratës, avokati i Mustafës ka thënë se sulmi mbi familjen Jashari në Prekaz ka shërbyer pikë kthese për rezistencën e popullit të Kosovës.
Duke e kujtuar sulmin brutal të forcave serbe, Von Bone e ka quajtur atë regjim shtypës por që ka hasur në një rezistencë të fortë me një mbështetje të gjerë në gjithë popullin e Kosovës.
Ndërsa lidhur me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, Von Bone ka thënë se ishte ndërhyrje humanitare e cila ishte tejet e nevojshme.
Gjatë deklaratës hyrëse, mbrojtja e Mustafës ka folur për dëbimin e shqiptarëve nga pronat e tyre në Kosovë.
Ndërsa lidhur me aktakuzën ndaj të mbrojturit të tij, Von Bone ka folur më shumë për lokacionet në Kosovë dhe pjesën e Zllashit.
“Nuk ka një material të përcaktuar në dosjen e çështjes gjyqësore rreth Zllashit, ne e dimë me përafërsi se ku ndodhet Zllashi pr nuk ka një përcaktim kufijsh të qartë të kësaj zone, ajo është një zonë e madhe ku shtëpitë janë të shpërndara në të gjithë zonën. Nuk ka një qendër të Zllashit ose fshat i Zllashit, në pikëpamjen administrative zona e Zllashit bie nën Mramos që është një fshat goxha më i madh ën cep të zonës malore, për të shkruar në Zllash nga Prishtina është goxha rrugëtim, veçanërisht për të shkuar në vendin e përcaktuar në aktakuzë. Është një udhëtim që kalon nëpër male, në pjesën dërrmuese të kohës në rrugë të pashtruara. Është ftohtë gjatë dimrit, rrugët janë plot me baltë dhe është e vështirë të udhëtosh me veturë”, ka thënë ai.
Von Bone do të vazhdojë paraqitjen e deklaratës hyrëse të mbrojtjes gjatë ditës së sotme. Ndërsa para trupit gjykues nesër do të flas dëshmitari i parë i mbrojtjes.
Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm./G.Kadrija