Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar disa parregullsi në Ministrinë e Arsimit, për klasifikim jo adekuat të shpenzimeve. Sipas Auditorit, MASHTI në vitin 2023 bazuar në planifikimin buxhetor, ka paguar dhe regjistruar shpenzime në vlerë 1 milionë e 407 mijë e 566 euro në kategori ekonomike jo adekuate.
“Pagesat e realizuara nga kategoria e investime kapitale që për nga vlera individuale e pajisjeve dhe natyra e tyre këto shpenzime i takojnë kategorisë mallra dhe shërbime, si në vijim: Furnizim me pajisje për sallat e sportit në shkollat e arsimit parauniversitar në vlerë 409,764€; Blerjen e paisjeve për mbrojtjen e objekteve arsimore për qëndrueshmëri dhe blerja e pakove në vlerë 751,055€; dhe Furnizim me inventar shkollor në vlerë 151,464€”, thuhet në Raportin e Auditimit për Pasqayrat Financiare Vjetore të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për vitin 2023.
“Kjo kishte ndodhur si pasojë e ndarjes së mjeteve financiare me Ligj të Buxhetit në kategorinë e investimeve kapitale, pavarësisht kërkesës së MASHTI-t që mjetet për këto projekte të buxhetohen në kategoritë adekuate. Derisa te Qendra e Studentëve mjetet për projektin renovimi i restorantit ishin planifikuar gabimisht si mirëmbajtje e ndërtesave në kategorinë mallra dhe shërbime”, thuhet në raport.
ZKA vlerëson se raportimi apo klasifikimi jo i saktë i të dhënave në pasqyrat financiare shpie në keqkuptim të aktiviteteve financiare të Ministrisë, duke mbivlerësuar/nënvlerësuar kategoritë ekonomike përkatëse.
Ky raport ka rezultuar me nëntë rekomandime, prej tyre pesë janë rekomandime të reja, tri të përsëritura dhe një pjesërisht të përsëritur.
https://kosovapress.com/auditori-gjen-parregullsi-ne-tender-te-ministrise-se-arsimit